Hulumtim EKSKLUZIV: Ky është mashtrimi i madh nga KEDS-i me reduktimet e rrymës (Video)

KEDS-i kishte aplikuar një metodë të reduktimeve, që ZRRE e ka konsideruar "parregullesi të procesit". Reduktimet zgjatnin nga 4 orë, dhe nisnin nga ora 08 e mëngjesit deri në 20:00. Këto reduktime, gati çdo ditë, përfshinin më shumë se gjysmën e Kosovës.

Lajme

02/12/2016 16:15

Nga: Elhami Ismajli

Pavarësisht punimeve që kryheshin reduktimet zgjatnin nga 4 orë.

Kaluan disa muaj dhe askush s’po arrinte t’iu binte në fije këtyre “parregullësive”, që i konstatoi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me një raport preliminar, shkruan lajmi.net.

Një hetim preliminar që e ka bërë ZRRE ka konstatuar se ka pas mospërputhje të planit me atë çka është punuar.

“Bazuar në të gjeturat, bordi i ZRRE-së konsideron se ka bazë të mjaftueshme për dyshimin se procesi i ndërprerjeve të planifikuara është përcjell me parregullsi, dhe si rrjedhojë ka vendosur ta thelloj hetimin në lidhje me parregullsitë të cilat kanë të bëjnë me:  a. Mos përputhje në mes planeve të dërguara në ZRRE dhe planeve të publikuara. b. Mirëmbajtjet të cilat nuk janë realizuar, përkundër ndërprerjeve për këtë qëllim. c. Kohëzgjatja nga katër orë për secilën mirëmbajtje, pavarësisht natyrës së punëve që duhet të kryheshin. d. Përshkrimet jo adekuate në dokumentet përcjellëse. e. Ndërprerje e shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit”, thuhet në dokumentin që ZRRE e ka nxjerr për hetimin preliminar.

Foto: Vendimi i ZRRE-së

Mirëpo, deputeti i LDK-së dhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që mbikëqyr punën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, Muhamet Mustafa, kishte parë raportin që po e dërgonte KEDS-i me 68 pika që do të kishte reduktime.

Kjo Mustafës iu kishte dukur e palogjikshme dhe kishte kërkuar hetim nga ZRRE-ja si kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Ai thotë se me këto reduktime që i ka aplikuar KEDS-i, është lënduar procesi i furnizimit me energji dhe kërkon nga ZRRE  të marrin masa adekuate ligjore ndaj operatorit turk, KEDS.

YouTube player

Lajmi.net ka siguruar një rrëfim ekskluziv të një punëtori të mirëmbajtjes në KEDS.

Ai tregon se çka kanë bërë gjatë atyre orëve që ka pasur reduktime. Tregon edhe për shkyçjet që janë bërë nën arsyetimin e mirëmbajtjes, tregon se sa zgjatë puna në një trafo…. Ai thotë se shumicën e punëve që i kanë bërë gjatë kohës së reduktimeve ka qenë pastrimi i trafove dhe një fotografi që janë detyruar ta qojnë tek menaxheri. Më herët ky punëtor i mirëmbajtjes tregon se askush nuk i ka pyetur asgjë, vetëm kanë ndërprerë rrymën nën arsyetimin e mirëmbajtjes.

Lajmi.net sjell ekskluzivisht rrëfimin e sinjalizuesit tonë duke ia ka ndryshuar zërin, për shkak që kompania ku punon, KEDS, mund të marr masa të përjashtimit nga puna dhe mund të akuzojë për rrjedhje të informacionit.

YouTube player

Për ta vërtetuar dëshminë e sinjalizuesit, lajmi.net ka siguruar dokumente ku vërtetojnë se punëtorët e KEDS-it që mirëmbajnë rrjetin nuk kanë bërë asgjë për 4 orë, ose thjesht kanë pastruar një trafo sa për ta pasur si dëshmi.

Në dokumentet që i ka siguruar lajmi.net, që janë formular të mbushur nga punëtorët e mirëmbajtjes në KEDS, në vendin ku shkruan se çka është punuar, ka nga ata punëtor që kanë shkruar se “nuk kanë bërë asgjë”.

Në këto dokumente tregohet linja që është mirëmbajtur dhe çka është punuar. Mirëpo dëshmitë e thonë të kundërtën, se nuk është kryer punë dhe reduktimet kanë ndodhur pa ndonjë arsye të punimeve.

“Nga ana ime nuk ka pas problem mund te kyçet linja”, thuhet një raport që e ka siguruar lajmi.net, por që nuk i ka publikuar të dhënat se ku është hartuar raporti, nga rreziku se mund të pësojnë punëtorët me largim nga puna.

Në vend që shkruan “arsyeja e shkyçjes”, thuhet se kërkon dispiçeri, pa dhënë detaje se a do të punohet diçka në linjën e caktuar.

Dokumente që janë plotësuar nga mirëmbajtësit e KEDS-it e që nuk është punuar asgjë

Avni Kurshumliu i cili ka punuar për rreth 40 vjet në KEK, tash në pension, ka treguar për lajmi.net se ka pasur disa mundësi që të mos aplikohet një reduktim kaq i gjatë, sidomos në linjat e tensionit të ulët.

Kurshumliu, që ka qenë inxhinier në KEK, tregon për lajmi.net se rrjeti i tensionit të ulët 0.4 kilovolt ka pasur mundësi të mirëmbahet edhe pa u aplikuar reduktime në shumë fshatra.

“Nëse ka pasur mirëmbajtje të rrjetit 0.4 kilovolot, apo që njihet në popull tensioni i ulët, teli që na vjen në shtëpi dhe na furnizon me rrymë, ka mundur të ndërpritet linja dhe të mos aplikohen reduktime në disa fshatra. Po e marrim shembull, linja 0.4 kilovolt dhe 10 kilovolt, që shkon nga Obiliqi për në Vushtrri, kur është paralajmëruar mirëmbajtje në Obiliq, është aplikuar reduktime edhe në Vushtrri, e kjo nuk ka pasur nevojë të bëhet, sepse është mundësia që të ndërpritet energjia elektrike vetëm në Obiliq pa i dëmtuar konsumatorët dhe bizneset e Vushtrrisë”, thotë Kurshumliu për lajmi.net.

Kurshumliu e shpjegon këtë duke u bazuar në punën që e ka bërë në KEK për një periudhë të gjatë kohore.

Kurshumliu thotë se nuk dëshiron të hyj në arsyet e reduktimit që i ka aplikuar KEDS-i, por thotë se nuk ka logjik që të aplikohen kaq shumë reduktime dhe kaq gjatë edhe atëherë kur kryhen punë të vogla.

“Reduktimet nuk ka logjik të zgjasin të gjitha 4 orë, pavarësisht që është punuar. Punimet mund të jenë nga 30 minuta e më gjatë, por penalizmi i të gjithëve me reduktime, me arsyetimin se po punohet nuk ka shpjegim logjik as për ne inxhinierët që e kemi bërë këtë punë për një kohë të gjatë”.

Foto: Kjo është një shtyllë elektrike  që e ka fotografuar si dëshmi lajmi.net, e që e ka mundësin që ta ndërpres energjinë elektrike, duke mundësuar që pas kësaj shtylle të punohet pa ndonjë problem dhe të mos i rrezikojë punëtorët.

Lajmi.net ka provuar të flas me përfaqësuesit e KEDS-it, por këta të fundit kanë refuzuar të japin sqarime për pretendimet e punëtorit të mirëmbajtjes.

Lajmi.net ka pritur përgjigje 7 ditë nga KEDS-i, por këta të fundit kanë qenë të pa qasshëm në telefon dhe nuk kanë kthyer përgjigje në email në pyetjet që u janë dërguar./Lajmi.net/