KEDS-i më në fund i bindet trysnisë mediale dhe ZRRE-së, nuk planifikon ndërprerjen e rrymës
KEDS-i dje ka dërguar njoftimin për media përmes të cilit njoftonte për ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike në 7 komuna me arsyen e mirëmbajtjes së rrjetit dhe reduktimet do të zgjatin nga 4 orë, gjithsecila pavarësisht punimeve që do të kryheshin në të.
Lajme
Njoftimi ka qenë publik edhe në faqen e internetit të KEDS-it ku publikohen të gjitha mirëmbajtjet.
Mirëpo, sot gjatë ditës deputetët e Kuvendit të Kosovës në një mbledhje të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që t’iu raportojë se pse KEDS-i po vazhdon me reduktime nën arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit dhe nuk po e respekton vendimin e ZRRE-së.
Njoftimi i KEDS-it për mirëmbajtje më 28 nëntor
Ndërkaq portali lajmi.net ka raportuar se KEDS-i nuk po e zbaton vendimin e ZRRE-së për ndalimin e mirëmbajtjes e rrjetit, pasi ia ka ndaluar përmes një vendimi, sepse është konstatuar se ka manipulime me procesin.
Nuk ka vonuar shumë KEDS-i i ka fshirë të gjitha planet e mirëmbajtjet në faqen e tyre të internetit, ku dje njoftonte se do të ketë reduktime për datën e 29 nëntorit në 7 komuna nga 4 orë në disa dalje.
Por zëdhënësja e ZRRE, Adelina Myrtezaj, ka mohuar se KEDS-i është duke aplikuar reduktime nën arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit.
Ajo ka thënë se janë duke i monitoruar mirëmbajtjet e rrjetit nga KEDS, duke thënë se nuk kanë informata se nuk po respektohet vendimi.
“Siç ju kemi njoftuar, të premten me 25 nëntor 2016, Bordi i ZRRE ka shqyrtuar të gjeturat nga verifikimi i ndërprerjeve të planifikuara të energjisë nga Operatori i Rrjetit të Shpërndarjes (KEDS). Bazuar në këto verifikime, Bordi i ZRRE ka kërkuar nga KEDS, që përkohësisht të ndërpresë mirëmbajtjet e planifikuara përpos mirëmbajtjeve të domosdoshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Nga koha e njoftimit të KEDS-it nga ana e ZRRE-së dhe deri me tani, nuk kemi ndonjë informatë se KEDS nuk është duke zbatuar vendimin e ZRRE-së. Ekipet e ZRRE janë në monitorim të vazhdueshëm dhe nëse hasin në ndonjë parregullsi, sigurisht që Bordi i ZRRE-së do të marr masa të cilat parashihen me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Myrtezaj për lajmi.net.
Ajo ka thënë se KEDS-i është i obliguar që ta respektojë çdo vendim të ZRRE-së, ndryshe do të ketë masa sipas rregullave në fuqi.
“KEDS si operator i licencuar dhe i monitoruar nga ZRRE është i obliguar që të zbatojë vendimet dhe kërkesat e ZRRE dhe për çdo mos respektim të këtyre vendimeve Bordi i ZRRE ka të drejtë të marr masa sipas rregullave në fuqi”, ka thënë Myrtezaj.
Nëse hyni në faqen e KEDS-it në internet aty ku zakonisht gjendeshin planet e mirëmbajtjes, tash nuk janë, janë fshi të gjitha.
Fshirja e të gjitha mirëmbajtjeve
Më 25 nëntor ZRRE ka marr një vendim ku e obligon KEDS-in që t’i ndal menjëherë mirëmbajtjet e rrjetit për shkak se një hetim preliminar kishte konstatuar se KEDS-i ka manipuluar me mirëmbajtje duke aplikuar reduktime të gjata. /Lajmi.net/
KEDS-i nuk e përfillë ZRRE-në, sërish ndërpret rrymën me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit