Ylli i Kombëtares përleshet me shokun në stërvitje, trajneri nuk e grumbullon (FOTO)
Pas shpjegimit të trajnerit të Peskarës, Masimo Odo, mediat lokale kanë zbuluar të tjera hollësi rreth arsyes që e shtyu teknikun ta lërë Rei Manajn jashtë ndeshjes me Romën.
Sport
Mësohet se shkak është bërë reagimi i sulmuesit shqiptar pas një përplasjeje me portierin rezervë, Vinçenco Fiorilo, gjatë stërvitjes së të premtes. Manaj nuk i përmbajti dot nervat dhe nisi një sherr me portierin, i cili u shua pas ndërhyrjes së lojtarëve të tjerë dhe stafit teknik. Për trajnerin Odo kjo sjellje është e papranueshme, ndaj ai vendosi ta ndëshkojë 19-vjeçarin.
Ndërkohë, mediat italiane dyshojnë se arsyet e reagimit të Manajt shkojnë përtej nervozizmit të çastit. Sipas tyre, shkak mund të jetë lënia e sulmuesit në stol në ndeshjen e javës së shkuar kundër Juventusit.
Ato theksojnë se kjo nuk është e para herë që lojtari shfaq sjellje të ngjashme, duke kujtuar edhe përplasjen që pati vjet me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. “Unë nuk i lëpihem askujt. Nuk kam nevojë, si ca të tjerë”, deklaronte asokohe sulmuesi lushnjar, duke kërkuar falje 24 orë më pas. De Biazi e fali atëherë, por a do ta bëjë edhe Odo?