Nata e sofrës dhe odës
Ansambli i Shkodrës “Ylberi mbi kala” performoi dasmën shqiptare, që nga momenti kur merret nusja e deri kur shtrohet sofra. Më pas këngë rreth sofrës kënduan grupi folklorik “Podguri” nga Istogu.
ShowBiz
Në fshatin Kukaj, që sipas organizatorëve të festivalit Etno Fest, temperatura gjithmonë është 4 gradë më ftoftë se në kryeqytet, programi i natës së dytë nisi me performancën e ansambleve dhe përfundoi me ritme të etno muzikës.
Ansambli i Shkodrës “Ylberi mbi kala” performoi dasmën shqiptare, që nga momenti kur merret nusja e deri kur shtrohet sofra.
Më pas këngë rreth sofrës kënduan grupi folklorik “Podguri” nga Istogu.
Fundi i sofrës i bëri burrat të zhvendosen në odë, e para se t’ia nisnin prapë këngës, u shfaq filmi dokumentar për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi.
E në një skenë tjetër, në Amfiteatër, para shikuesve u dhanë dy shfaqje njëra pas tjetrës. E para ishte shfaqje teatrore “Të jetosh në ishull” i Arbëresha Grabovci – Nixhës. Ndërsa menjëherë pas u shfaq “Marr guximin”, monodramë me Mehdi Malkaj nga Teatri Kombëtar i Tiranës.
Në kuadër të pjesës së rezervuar për gatim “Arti i magjes ilire” nga Ahmet Dursun, e cila është pjesë e agjendës në katër ditë, sonte ai gatoi fileto pule. Ai tha se ky specialitet është gatuar me shpenzë të egra, por në mungesë të tyre ka vendosur të gatuaj fileto pule.
Pulës së zier bashkë me ftonj, iu shtua edhe kanellë e erëz joshqiptare.
“Kjo gjëja që për disa mund të duket e shpifur pas pak do të jetë një vepër arti,” tha Dursun gjatë gatimit.
Nata përfundoi nën ritmet e etno muzikës.
EtnoFest do të vazhdojë edhe nesër e pasnesër në Kukaj nga ora 17:00 deri pas mesnatës.