Pse arti i Kosovës triumfon ndaj atij të Shqipërisë?

Kosova ka patur dhe ka dy pengesa për të qenë plotësisht e pavarur: njëra është politike dhe tjetra kulturore - shkruan Ben Blushi.

ShowBiz

19/08/2016 12:42

Rruga e dytë është më e vështirë. Në këtë rrugë, Kosova nuk po fiton, por po triumfon, për kënaqësinë e vet dhe për dobinë tonë.

Kjo është pavarësia kulturore nga Shqipëria.

Për arsye historike, Kosova ka qënë një koloni artistike e Shqipërisë. Arti që bëhej në Shqipëri, konsumohej në Kosovë. Por sot e kundërta po provohet e vërtetë. Sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës dhe me sa duket ky është vetëm fillimi.

Kosova po na dominon artistikisht dhe ky është një fat që duhet pranuar si i tillë.

Vitet e fundit, varësia nga mediat, televizionet, spektaklet, çmimet, tekstet dhe arenat e Shqipërisë, ka përbërë një joshje të madhe për kosovarët. Ata u dyndën duke performuar dhe duke formuar një modë.

Marrëdhënia e artit të Kosovës me artin e Shqipërisë është si marrëdhënia e lëngut me enën. Ata janë lëngu, ne jemi ena. Dhe me sa duket kështu do të jemi edhe për shumë kohë.

Në çdo kuptim ata na dhanë më shumë se ç’iu dhamë. Ata kanë zërin, ne kemi audion. Ata kanë figurën, ne kemi ekranin. Ata kanë golat, ne kemi fushat. Ata ndikuan në krijimin e një mënyre të re arti që nuk e kishim njohur. Kosovarët krijuan shije, rrymë dhe stil. Pa frikë sot mund të them se ata na futën artistikisht në shekullin që jetojmë. Para zbarkimit të tyre arstistik, muzika dhe sporti shqiptar ishte tërësisht ballkanik. Me ndihmën e tyre është shumë më evropian.

Sot kosovarishtja është gjuha e muzikës shqiptare. Nuk ka këngëtar shqiptar që të mos këndojë kosovarisht. Je nga Shkodra knon. Je nga Tirana e bon. Je nga Korça, nuk do, por don.

Nëse e bën je. Nëse nuk e bën nuk je. Nëse e bën shijohesh, nëse nuk e bën nuk shikohesh.

Tregu shqiptar i muzikës dhe showbizit është i gjithi kosovar. Prej aty lind ritmi, lirika, vlimi, frymëzimi, hedhja dhe përdredhja.

Kosovarët kanë humor, kanë refren, kanë pasion dhe harmoni. Pa dyshim kanë edhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën. Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje edhe pse janë të vegjël.

Ne u kemi dhënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg.

(Opinion i Ben Blushit për lapsi.al)

Lexoni shkrimin e plotë:

Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria