Veseli transferohet te skuadra e Series A

Frederik Veseli bëhet gati për hapin e madh të karrierës. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, i larguar pak javë më parë nga Lugano në Zvicër, tashmë do të luajë në Serinë A.

Sport

06/08/2016 15:55

Mediat italiane kanë bërë të ditur se mbrojtësi 23 vjeçar shqiptar do të jetë pjesë e Empolit duke filluar nga ky sezon. Lojtari ka gjetur marrëveshjen me klubin italian dhe do të firmosë një kontratë dyvjeçare, me të drejtën e zgjatjes edhe për dy vite të tjera.

Bëhet e ditur se firma në kontratë do të vijë vetëm pasi Veseli të ketë përfunduar vizitat e detyrueshme mjekësore me klubin e tij të ri.

Ky do të jetë klubi i 7 në 6 vitet e fundit për Veselin, i cili në të kaluarën ka veshur fanellat e Mançester Sitit, Mançester Junajtid, Ispuiç, Bëri, Port Veil dhe Lugano.

Mbrojtësi ishte nën kontratë me Luganon por u largua nga klubi falë një klauzole të vendosur në marrëveshjen e tij që i jepte mundësinë të rishikonte apo anulonte plotësisht opsionin që kishte klubi për zgjatjen e saj për një tjetër edicion.