Presidenti Thaçi në Panama për zgjerim të kanalit të Panamasë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Panama.

Lajme

23/06/2016 18:29

Presidenti Thaçi fillimisht do të marrë pjesë në inaugurimin e zgjerimit të kanalit të Panamasë, që është rruga e dytë më e madhe ujore në botë.

Pas kësaj ceremonie, shefi i shtetit kosovar do të zhvillojë takime bilaterale edhe me presidentë dhe përfaqësues të disa prej shteteve pjesëmarrëse në këtë inaugurim shtetëror.

Përveç takimit me Presidentin e Panamasë, Juan Carlos Varela, presidenti Thaçi do të takohet edhe me Presidentin e Kostarikës, Luis Guillermo Solís, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit Latino-Amerikan me seli në Panama, Elias Castillo.

Gjithashtu, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime edhe me disa përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.