Musliu në Listë të Zezë, fajëson Serbinë (Dokument)

Njëri nga liderët politik shqiptar të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, gjendet në Listën e Zezë të Shtëpisë së Bardhë.

Lajme

22/06/2016 14:10

Ai së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, kryesisht nga Kosova, vazhdojnë të jenë në këtë listë që nga lufta në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës. Por të njëjtit nuk dinë arsyen e prezencës së emrave të tyre në këtë listë.

Musliu në një prononcim për lajmi.net ka thënë se deri më tani, ka aplikuar dy herë për vizë amerikane në ambasadën e SHBA-ve në Beograd, por në të dy rastet ajo i është refuzuar. Herën e fundit, ai thotë se ka kërkuar sqarime nga kjo ambasadë për refuzim të vizës, por të njëjtit nuk i kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Por ai mendon se në këtë rast po ndodhë një paradoks që, sipas tij, e njëjta ambasadë e cila po ia refuzon vizën, po e fton atë të merr pjesë në një ngjarje brenda objektit.

“Dy herë më është refuzuar viza për në SHBA. Nuk më kanë dhënë ndonjë arsye për refuzimin e vizës. Në rastin e aplikimit të dytë, kur më është refuzuar sërish viza për në SHBA, kam kërkuar arsye për këtë refuzim, por nuk më është kthyer përgjigja nga Ambasada e SHBA-ve në Beograd”, ka thënë Musliu për lajmi.net.

Udhëheqësi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, ka bërë të ditur se ambasada e SHBA-ve në Beograd, me 20 të këtij muaji, i ka dërguar një ftesë zyrtare për të marr pjesë në një darkë të iftarit të organizuar për figura politike e publike të Serbisë. Në këtë rast, sipas tij, përfaqësia diplomatike amerikane në Serbi, po bije ndesh me vendimin për të mos e pajisur atë më vizë, në momentin kur në të njëjtën kohë, ata e lejojnë të futet brenda ambasadës.

13487298_10153638042117091_1786075796_n13522420_10153638042012091_109495500_n

 

“Ne ishim me datën 20 në iftar të organizuar nga kjo ambasadë dhe, më është bërë ftesë zyrtare për pjesëmarrje, që sipas mendimit, është pothuajse e njëjtë sikurse udhëtimi im në SHBA, pasi që ambasada është pjesë e sovranitetit amerikan. Pra si është e mundur që të më refuzohet viza e, në të njëjtën kohë, të marr pjesë në një ngjarje që organizohet në këtë ambasadë”, ka thënë ai.

Musliu akuzon edhe shtetin e Serbisë për mos gatishmëri që të bashkëpunojmë me Uashingtonin zyrtar për t’ia dëshmuar atyre pafajësinë e tij në rastet e ngritura gjyqësore.

“Unë mendoj se këtu faj ka edhe Serbia, pasi që gjyqësori në Serbi duhet të merret me këtë çështje, pasi që unë kam qenë udhëheqës i luftës në Luginë edhe kam qenë i burgosur politikë në Serbi. Pra unë kam qenë i penalizuar në këtë shtet dhe, këta duhet t’ia argumentojnë SHBA-ve që tashmë unë jam i lirë”, tha ai./lajmi.net