Grup Parlamentar në Kuvendin e Serbisë që përkrah pavarësinë e Kosovës

Parlamenti i ri i Serbisë ka rezervuar befasinë e parë. Mediat në Beograd raportojnë se atje do të krijohet një Grup Parlamentar i cili do të ketë dy qëllime kryesore të tij.

Lajme

17/06/2016 11:28

E para do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe tjetra është autonomia e Sanxhakut.

Siç raporton gazeta beogradase Blic, këtë e ka bërë të ditur kryetari i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin.

Ai ka deklaruar se partia e tij bashkë me Partinë Liberal-Demokratike të Çedomir Jovanoviqit, në Kuvendin e Serbisë ka krijuar këtë Grup të përbashkët Parlamentar.

Ugljanin ka thënë se ata kanë pesë parime të përbashkëta, mes të cilave është autonomia për Sanxhakun dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Sipas Ugljanin,  SDA-ja e Sanxhakut dhe LDP-ja do të angazhohen edhe për integrimin e Serbisë në BE dhe në NATO, si dhe për përparimin e bashkëpunimit me Bosnjën dhe Hercegovinën.