Nitaj: Ishalla Adem Grabovci do t’ju rrijë mbrapa fjalëve të veta!
Deklarata e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, po cilësohet si e rëndësishme për të gjetur një marrëveshje mes spektrit politik.
Lajme
Grabovci dje ka deklaruar se në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi janë bërë lëshime, duke treguar se kufiri mes dy shteteve ka qenë tek kulla e Zhlepit.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila së bashku me dy partitë tjera opozitare Vetëvendosje e Nisma kanë kundërshtuar marrëveshjen aktuale, deklaratë e Grabovcit për demarkacionin po cilësohet si reale.
Muharrem Nitaj anëtarë i kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, për lajmi.net ka thënë se Grabovci më mirë se askush tjetër e dinë se ku ka qenë dhe ku është kufiri.
Por, Nitaj edhe pse e vlerëson si ta pa kuptimit se pse Grabovci ka pritur aq gjatë për të thënë të vërtetën për kufirin, shpreson që ky të jetë një moment reflektimi nga pozita.
“Sidoqoftë, më mirë vonë se kurrë. Çështja e kufirit, asnjëherë nuk ka qenë kauzë e stisur e AAK-së, por shqetësim real dhe i argumentuar. Nuk e di nëse ky është qëndrim i PDK-së, apo personal i zotit Grabovci, por në çdo rrethanë, edhe qëndrimet kolektive krijohen nga qëndrimet individuale. Ishalla ai do t’ju rrijë mbrapa fjalëve të veta”, ka thënë Nitaj.
“Unë besoj se edhe pozita e di saktë se është gabuar rëndë me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Çështja është nëse ata do të kenë kurajo intelektuale e politike ta pranojnë një gjë të tillë”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.
