Shenoll Muharremi: Kosova me 19 ministri – Gjermania me 16, duhet reformë e thellë qeveritare
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar me kritika ndaj strukturës aktuale të Qeverisë së Kosovës, duke e krahasuar atë me vende të mëdha evropiane dhe duke kërkuar riorganizim të thellë institucional. Në një postim në Facebook, Muharremi ka theksuar se Gjermania me rreth 84.1 milionë banorë ka vetëm 16 ministri, ndërsa Kosova me rreth 1.5 milionë…
Lajme
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar me kritika ndaj strukturës aktuale të Qeverisë së Kosovës, duke e krahasuar atë me vende të mëdha evropiane dhe duke kërkuar riorganizim të thellë institucional.
Në një postim në Facebook, Muharremi ka theksuar se Gjermania me rreth 84.1 milionë banorë ka vetëm 16 ministri, ndërsa Kosova me rreth 1.5 milionë banorë ka 19 ministri, duke e cilësuar këtë si disproporcion të madh në organizimin qeveritar.
Ai ka bërë thirrje që qeveria e ardhshme të ketë një strukturë më të vogël dhe më efikase, duke propozuar që Kosova të funksionojë me rreth 10 ministri.
“Qeveri të vogël, por efikase dhe të strukturuar mirë”, ka shkruar ai, duke theksuar se organizimi institucional nuk duhet të vazhdojë “me inercion” nga qeveritë e kaluara.
Sipas tij, strukturat qeveritare duhet të përcaktohen në bazë të objektivave politike, resurseve në dispozicion dhe nevojave reale të vendit.
Ai ka dhënë edhe shembuj konkretë, duke theksuar se nëse energjia është prioritet, ajo duhet të trajtohet si sektor qendror, madje me nivel të lartë përfaqësimi në ekzekutiv, ndërsa sektorët ekonomikë dhe biznesorë duhet të kenë po ashtu fokus të veçantë institucional.
Muharremi ka kritikuar edhe vazhdimin e strukturave ekzistuese, duke thënë se ato janë trashëgimi nga modele të vjetra administrative dhe nuk i përshtaten më nevojave aktuale të vendit. /Lajmi.net/