Shokon legjenda e Kombëtares, kërkon dënimin e Skënderbeut nga UEFA

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata, disa muaj më parë debatoi ashpër në një studio televizive me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj.

Sport

05/06/2016 16:37

Ndërsa dje, përmes “Panorama Sport”, duke komentuar hetimin e UEFA-s ndaj klubit korçar për ndeshje të dyshuara si të trukuara, Rudi Vata foli me bindje se kampionët e Shqipërisë do të dënohen.

“Nuk surprizohem aspak nëse Skënderbeu dënohet. Nuk është hera e parë që klubi korçar po hetohet nga UEFA. Gjithmonë ka pasur justifikime dhe njerëz që flasin për pafajësi. Katastrofa më e madhe për futbollin shqiptar janë tashmë bastet, që janë bërë pjesë e rëndësishme e tij. Pak të varfër jemi si futboll, por tani na shtohet edhe pandershmëria. Unë jam i sigurtë se futbolli shqiptar nuk është i ndershëm. Në klubet tona ka aktorë që bëjnë hipokritin, por edhe aktorë ‘Hollivudi’. Nëse Skënderbeu dënohet se e meriton, nuk do të më vijë aspak keq, sepse ky klub ka prishur imazhin dhe sistemin”, deklaroi Vata.

“Gjithashtu, ka prishur shumë mendje të futbollistëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj. Sigurisht është momenti që të marrin leksion, pasi pa u bërë dikush shembull, nuk ka për t’u ndryshuar diçka për mirë. Kjo që po ndodh, për mua është një kancer, pasi futbollisti stërvitet për të mbërritur te suksesi përmes punës. Tashmë po i mësojnë të aktrojnë. Në eksperiencën time, jam stërvitur gjithmonë për të fituar, por normalisht edhe kam humbur shumë”.

“Bosat e Skënderbeut, që pinë puro në stadiume dhe u duket vetja heronj të klubit që menaxhojnë, tani ta provojnë se sa të fuqishëm dhe sa të zotë janë. Duke e pësuar, do të shërohet edhe futbolli shqiptar. Aspak keq nuk më vjen, sepse e meritojnë. Është luajtur një futboll fals, janë gënjyer tifozët dhe janë prishur nga mendja lojtarët. E përsëris që nuk ndiej aspak keqardhje, sepse kush i ka bërë këto, duhet t’i pësojë. Jam i sigurtë që do ta pësojnë. Suksesi i pamerituar është më i keq se mossuksesi”, shtoi Vata.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.