Thaçi në Interfaith: Mos të lejojmë që zemrat tona të errësohen nga frika

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur para 300 pjesëmarrësve në konferencën ndërfetare, ka folur edhe për debatin që është zhvilluar në Kosovë, pas publikimit të një shkrimi në prestigjiozen amerikane “NewYorkTimes”.

Lajme

31/05/2016 17:59

Thaçi ka thënë se kemi pasur një shkrim në një gazetë amerikane ku Kosova është quajtur si e transformuar nga një shtet shumë pro-amerikan dhe pro-perëndimor, në një shtet ku ka fundamentalizëm dhe vullnetarë të ISIS, transmeton lajmi.net

“E kam përcjellë me vëmendje këtë debat dhe mund të them se të dy palët gabojmë që e fusin debatin në binarë të pro dhe kundër shkrimit. Gabojmë rëndë nëse mohojmë se njerëz të tillë ka në rrethin tonë. Gabojmë rëndë nëse nuk kuptojmë se rreziku nga ekstremizmi është real dhe është vdekjeprurës.

Gabojmë nëse nuk e shikojmë veten në pasqyrë, jo vetëm shteti, por edhe Bashkësia Islame dhe grupet e ndryshme të interesit për të parë gabimet tona, dështimet tona në adresimin e gjuhës së urrejtjes në margjina të shoqërisë tonë që u transformua në veprime të urrejtjes dhe vdekjes”, ka shtuar ai.

Thaçi më tej ka thënë se po ashtu gabojmë nëse lejojmë që zemrat tona të na errësohen nga frika dhe nga cinizmi. “Nuk mund të rrimë anash dhe të kritikojmë qeverinë, policinë apo liderët fetarë, duke i përqeshur apo duke i ofenduar  apo duke mohuar angazhimin dhe rolin që e kanë”, ka theksuar ai.

I pari i vendit ka thënë se kemi obligim të marrim pjesë aktive në dialog, që afirmon vlerat e dashurisë e jo të qëndrojmë anash dhe të akuzojmë njëri-tjetrin apo edhe më keq, të vrojtojmë pa bërë as më të voglin kontribut në afirmimin e dialogut. /lajmi.net