A po mbahen zgjedhjet në Maqedoni vetëm për partinë e Gruevskit?
Mbrëmë skadoi afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 5 qershorit. Vetëm gjysmë ore para përmbylljes së afatit ligjor vetëm partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, dorëzoi pranë KSHZ-së listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin republikan.

Lajme
Mësohet se bartës i listës në njësinë zgjedhore numër 1 do të jetë ish kryeministri dhe njëherit kryetar aktual i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, njësinë zgjedhore numër 2 do ta udhëheq Nikolla Poposki, njësinë e tretë Ilija Dimovski, të kaërtën Nikolla Todorov, të pestën Antonio Milloshosi dhe njësinë e 6 zgjedhore Vllako Gjorçev.
Tri partitë tjera më të mëdha: Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare nuk i dorëzuan emrat e kandidatëve.
Sipas ekspertëve, zgjedhjet pritet të shtyhen, por edhe në se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, vendos t’i organizojë ato më 5 qershor, ata nuk presin që të arrihet shkalla e nevojshme prej 40 për qind e pjesëmarrjes, që zgjedhjet të quhen të vlefshme.
Nga ana tjetër, procesi vështirë se do të pranohej nga organizatat ndërkombëtare, duke qenë se tri partitë më të mëdha do ta bojkotonin atë.