Al Jazeera : Shtëpia Qerkezi – Muze i dhimbjes së nënës

Shtëpia është e mbuluar në qetësi mbytëse dhe duket sikur koha ka ndaluar brenda mureve të shtëpisë-muze ku jeton Ferdonije Qerkezi. Dhomat e paprekura të shtëpisë ku ajo mban gjësendet e djemve dhe bashkëshortit - të mbështjella me qese plastike, janë të mbushura me kujtime e dhimbje.

Lajme

05/05/2016 10:56

Gjithçka e tanishme shërben si urë lidhëse me jetën para 1999, kur ajo jetonte në këtë shtëpi me bashkëshortin Halim Qerkezi (53 vjeç) dhe katër djemtë: Artan (25), Armend (24), Ardian (19) dhe Edmond (14).

Pasditen e 27 marsit 1999, nga kjo shtepi ne Gjakovë, ku ishin strehuar 23 vetë, 11 burrat u morën me forcë nga policë serb të maskuar. Nuk u kthyen më kurrë.

Një jetë në pritje

Përfundimi i luftës, shtëpinë e familjes Qerkezi e gjeti vetëm me nënë Ferdonijen dhe dy nuset e djemve të saj, të cilat, vite më vonë, vendosën të fillojnë një jetë të re.

Për 5 vite e gjysmë, ajo nuk ka ditur asgjë për fatin e katër djemve dhe bashkëshortit dhe shpresonte qe së paku me i riu do t’i kthehej i gjallë.

Shpresa iu shua në vitin 2005, kur iu kthyen trupat e pajetë të djalit të madh, Artanit dhe të më të voglit, Edmondit. Emrat e Halimit, Armendit e Ardianit, vazhdojnë të jenë në listën e më shumë se 1.650 emrave të kosovarëve që vazhdojnë të trajtohen si persona të zhdukur.

“Kjo tragjedi më ka ndryshuar plotësisht jetën dhe gëzimet mi ka kthyer në mërzi.
E kam shumë vështirë, por me ndihmën e Zotit po jetoj. Lufta më dëmtoi shumë. Unë mbeta vetëm, me Zotin”, rrëfen ajo për Al Jazeera.

Deri në vitin 2005, ajo gatuante ushqim edhe për djemtë e bashkëshortin., kurse tani gatuan për ata vetëm në raste festash.

“Jeta ime ka qenë shumë e zymtë”, thotë ajo duke e përshkruar shkurt jetën e saj në këto 17 vite, ndërsa lotët ia ndërpresin rrëfimin.

Forcen e gjenë te fjalët që ia kishte thenë bashkëshorti në ditën e zhdukjes : “Ndoshta policia na merr vetëm ne meshkujve. Ti duhet të jesh e fortë, se dikush duhet të jap jetën për liri.”

“Këto fjalë nuk do t’i harroj kurrë,” thotë ajo.

Nëna Ferdonije nuk është dorëzuar asnjëherë. Që nga dita e parë e çlirimit të Kosovës e deri më tash ka marrë pjesë në disa dhjetëra protesta e takime duke kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ekzistenca e saj është shëndrruar në dëshmi të gjallë të asaj që ndodhi para 17 vitesh në Kosovë.

Përkujtimi

Është vlerësuar se rreth 4500 persona janë zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. Kujtimi për ta shënohet çdo vit, më 27 prill.

Familjarët e të pagjeturve konsiderojnë ketë date si një ng më të kobshmet në Kosovë, pasi më 27 prill 1999, janë zhdukur mbi 500 njerëz vetëm brenda një ore.

Aktivistët e rinjë të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë dhe Nisma ime , me rastin e shënimit të Ditës së Personave të Pagjetur organizuan në Prishtine  aktivitetin simbolik “Kujtesa jonë, përgjegjësia jonë” .

Në sheshin kryesor ne Prishtinë, të rinjtë mbanin në duar 17 flakadanë që simbolizonin vitet që familjarët presin gjetjen e mbetjeve mortore të të dashurve të tyre. Derisa sheshi ”Zahir Pajaziti” errësohej, emrat e Halimit, Armendit e Ardianit dhe qindra personave të pagjetur ndriçoheshin, duke u bërë thirrje institucioneve për zbardhjen e fatit të tyre.

“Fakti që akoma mungojnë mbi  1600 persona, tregon se është një harresë shumë e madhe nga qeveria e Kosovës dhe Serbisë, pasi duhet që të dyja së bashku të zgjedhin këtë çështje. Prandaj dalim çdo vit, për t’i kujtuar popullit dhe institucioneve, për t’i zgjuar nga gjumi i amnezisë që të bëjnë diçka për këtë çështje, “thotë për Al Jazeera, Venera Çoçaj,  kordinatore e programit YIHR.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka kërkuar sërish nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse më shumë përkushtim në gjurmimin dhe gjetjen e mbetjeve mortore si dhe në identifikimin e atyre tashmë të gjetura.

Sipas disa të dhënave të tyre, në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë gjenden rreth 300 mbetje mortore të trupave që janë gjetur gjatë viteve të mëhershme në varreza të ndryshme.

Në bazë të analizave të ADN-së këto mbetje mortore nuk rezultojnë pozitive me mostrat e gjakut të mbledhura nga anëtarët e familjeve të të zhdukurve. Nga ekspertët e fushës supozohet se ky problem është si rrjedhojë e identifikimeve të gabuara në të kaluarën.

Prandaj, FDH Kosovë u bën thirrje autoriteteve për të ndërmarrë veprime konkrete, si intensifikimi i bashkëpunimit me shoqatat e familjeve të viktimave të luftës, në mënyrë që të mundësohet identifikimi i duhur i këtyre mbetjeve mortore.

Identifikimi do të lehtësonte dhimbjen e familjeve të viktimave, të cilët për 17 vite jetojnë në ankthin e pritjes.

(Ky shkrim është botuar në “Al Jazzera”. Autore është gazetarja Rozafa Kelmendi )