Dhurohen bursa shkollimi për Andin dhe Lumin (Foto)

Dy artistët e mrekullueshëm të filmit të metrazhit të shkurtër “Shok”, Lum Veseli dhe Andi Bajgora do të fillojnë shkollimin e tyre në Shkollën “Mileniumi i Tretë”.

ShowBiz

12/04/2016 15:38

Drejtoresha e Shkollës “Mileniumi i Tretë”, Afrore Lila, njoftoi sot se Shkolla “Mileniumi i Tretë” ofron 2 bursa të plota shkollimi për dy fëmijët që e bënë Kosovën të ndihet krenare me nominimin e filmit “Shok” për çmimin “Oskar”, në të cilën patën role kryesore këta dy artistë.

Përfituesit e bursave janë përzgjedhur nga vetë Shkolla duke i dhënë prioritet artit kosovar.

“Sot më shumë se kurrë, është e rëndësishme që fëmijët tanë të marrin arsimimin për të cilin ata kanë nevojë, e vendi ynë sot më shumë se kurrë ka nevojë për ta. Ky investim nuk është investim vetëm i së ardhmes së tyre, por është investim edhe për të ardhmen e artit në vendin tonë duke e prezantuar Kosovën edhe në evente ndërkombëtare”, tha drejtoresha e shkollës Afrore Lila.

Bursat e plota të shkollimit, të ofruara nga Shkolla Mileniumi i Tretë mbulojnë kostot e shkollimit përgjatë gjitha viteve akademike të shkollimit të përfituesit,  që përfshin edhe tekstet e materialet mësimore (2,100 – 2,300 EUR), sigurimin e ushqimit rreth 600 euro, sigurimin e transportit rreth 270 euro, e që në total rreth 2,970-3,170 euro arrin vlera monetare për vetëm një bursë.

Sigurimin e transportit të dy aktorëve të vegjël e merr përsipër vetë kompania e transportit “Trio Trans”, me të cilën ka marrëveshje Shkolla.

Familjet e dy djemve që i kontribuan ngritjes së imazhit të Kosovës në botë e mirëpritën këtë iniciativë nga Shkolla “Mileniumi i Tretë”.

E ëma e Lum Veselit, Shengyl Ismaili shprehet: “Për mua ka qenë një befasi shumë e këndshme dhe e mirëseardhur, jemi ndjerë si familje shumë të privilegjuar që Lumit iu ofrua mundësia e shkollimit pa pagesë në një ndër shkollat më të mira që ka Kosova”.

Ndërsa e ëma e Andit, Lumnie Bajgora shprehet e entuziazmuar për mundësinë që iu dha të birit të shkollohet në “Mileniumi i Tretë”, duke thënë: “Ka qenë shumë e papritur dhe kënaqësi e veçantë për ne ta pranojmë këtë dhuratë pa asnjë mëdyshje, pra shkollimin e Andit në këtë shkollë, ndaj edhe ai mezi pret të fillojë mësimet aty”.