“Shota” dhe Ansambli Popullor i Shqipërisë me koncert të përbashkët në Prishtinë
Bashkë me pranverën po vijnë edhe koncertet e një fryme të tillë, të bukur, të hapur dhe përplot ngjyra. I tillë erdhi koncerti i titulluar “T’i këndojmë pranverës” i konceptuar si program me këngë lirike që i kushtohet pranverës, luleve dhe dashurisë.
ShowBiz
Ky ishte një tjetër koncert i përbashkët i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë. Një koncert tematik, me temë pranverën, lulet dhe dashurinë. Salla e Teatrit Kombëtarë ishte mbushur përplot dhe instrumentistët i kishin zënë vendet e tyre në skenë. Programin e hapi Kori i Ansamblit Popullorë me këngën “Çorapet me vija” dhe “A kanë ujë ato burime”, një hapje e bukur dhe plot atmosferë. Ideja e këtij koncerti që është konceptuar vetëm me këngë, pa valle, ka qenë që me këtë koncert të bashkohen Ansambli “Shota” dhe Ansambli i Këngëve Popullore të Shqipërisë dhe të performojnë së bashku në skenë. Ku së bashku ata sollën një koncert shumë të pasur i cili u prit shumë mirë dhe këtë më së miri e tregoi publiku sidomos në pjesën e fundit sepse programi ishte i gjatë dhe për asnjë moment nuk munguan duartrokitjet.
“Në të gjitha fushat kalendari i përbashkët kulturor e imponon këtë bashkëpunim. Ne kemi pasur dy programe të përbashkëta në vitin 2014, por konsideroj që sot është bërë një hap më tutje për faktin që të dy orkestrat kanë qenë në të njëjtën kohë në skenë, por fatkeqësisht për shkak të pamundësisë së ushtrimeve të përbashkëta nuk kemi mundur të realizojmë ekzekutimin e përbashkët të dy orkestrave, por shpresojmë që në të ardhmen do të kemi edhe koncerte të tilla. Ky koncert besoj që në të ardhmen do të jetë tradicional” u shpreh drejtori i Ansamblit Shota, Shefqet Gjocaj
Pikat e përbashkëta u realizuan nën përkujdesjen e drejtuesve artistik, Ylber Asllanaj dhe Gerti Druga. “E veçanta në këtë koncert është ndjenja e bashkimit mes artistëve, ndjenja e tejkalimit të barrierave të kufijve dhe veçantia tjetër është që më në fund kemi arrit që së bashku të merremi vesh dhe të krijojmë diçka të bukur, t’i përfshijmë të gjitha trojet shqiptare në një ansambël të përbashkët” u shpreh drejtori artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj.
Ndërsa drejtori artistik i Ansamblit Popullor të Shqipërisë, Gerti Druga tregoi rreth materialeve të përzgjedhura për këtë mbrëmje dhe përshtypjet e tij për pritjen që publiku i bëri. “Ne jemi munduar që të përfshijmë të gjitha materialet e Shqipërisë, duke filluar që nga Shqipëria e jugut, Shqipëria e mesme e pjesët polifonike. Meqë koncerti quhet “T’i këndojmë pranverës” e kishim pak të limituar përzgjedhjen, jemi munduar të zgjedhim pjesë më të gëzuara, më të qeshura, por besoj që bëmë një përfaqësim të denjë të të gjitha trevave shqiptare”./kultplus