Kthehet ekipi i filmit ‘Shok’, premtojnë film të metrazhit të gjatë
Edhe pse çmimi i madh Oscar nuk u fitua, duket se ai ka hapur rrugë dhe shtigje për filma të tjerë. Historia është shkruar, por ajo do të vazhdohet si e tillë.
ShowBiz
Kështu kanë thënë sot në konferencën për media ekipi i filmit “Shok”, gjegjësisht Eshref Durmishi, Jamie Donoughe dhe Harvey Ascott, me tu kthyer në Kosovë pas gjashtë javësh qëndrim në Amerikë.
Filmi “Shok” sivjet bëri historinë duke u futur në mesin e pesë filmave të kategorisë Short Film Live Action, por në fund edhe pse favorit nuk arriti ta merrte çmimin e madh. Mjaftoi që historia kosovare u dëgjua botërisht dhe për filmin u dhanë lëvdata nga kritika filmike botërore.
“Është një ëndërr e bërë realitet për të gjithë ne. Edhe unë nuk kam besu që mundemi me arritë deri në këtë pikë. Me përkushtim njeriu arrin aty ku do dhe jam i lumtur që një film shqiptar është futur në Oscars” ka thënë mes tjerash Eshref Durmishi, duke kujtuar edhe vetë kohën kur ka qëndruar zgjuar deri në orët e vona për ta ndjekur ceremoninë më prestigjioze filmike në rruzull, shkruan KultPlus.
Ai megjithatë ka thënë se një film i radhës i metrazhit të gjatë është veç duke u menduar nga i njëjti ekip që solli filmin “Shok”.
“Kemi biseduar me kompani të ndryshme në Amerikë dhe ka interesim për një film të metrazhit të gjatë. Nuk mund të them se do të jetë histori e luftës, por gjithsesi do të duhet të mendojmë për një temë interesante dhe e cila do ti thumbojë këto kompani amerikane” vazhdoi Durmishi në këtë konference.
Jamie, në anën tjetër, ka treguar se me filmin “Shok” është vërtetuar fuqia e artit mbi realitetin dhe ngjarjet e mëdha.
“Nëse është diçka që kam mësuar nga ky udhëtim, dhe kam mësuar plot gjëra, është se filmi ka fuqi dhe njerëzit këtë e nënvlerësojnë. Të gjithë duhet të binden se filmi dhe arti mund të ndryshojnë jetrat e njerëzve dhe filmi ynë është shembull” thotë Donoughue.
“Na janë dashur katër vite për ta realizuar filmin “Shok” prandaj do të na duhet kohë për të gjetur inspirimin e radhës. Filmi “Shok” u ka hapur sytë shumë njerëzve dhe duhet ti impresionojmë kompanitë me idetë tona të radhës” ka thënë Donoughue.
Harvey Ascott, pjesë e filmit, tregon se është lidhur emocionalisht me Kosovën dhe me gjithë zhgënjimin, është fantastike kampanja që është realizuar për filmin.
“Ka ndodhur historia jo vetëm me Kosovën por edhe me vetë Akademinë Oscars. Kampanja ishte e fuqishme dhe jemi munduar ta bëjmë më të mirën tonë. Falënderojmë të gjithë ata që në rrjetet sociale kanë munduar shpërndarjen e ideve tona” ka thënë Ascott.