Drama e emigrantëve shqiptarë “Paftuar”, shkon në Festivalin e Kanës

Një tematikë mjaft aktuale në ditët e sotme, drama e emigracionit, e konkretisht ajo e shqiptarëve në vitet ’90, e portretizuar në filmin me metrazh të shkurtër “Paftuar”, të Roland Uruçit nominohet në Festivalin e Kanës.

ShowBiz

16/03/2016 09:14

Historia e emigrantëve shqiptarë që kërkonin parajsën në vendet fqinje në vitet ’90, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin përzgjidhet në Festivalin e Kanës në kategorinë e filmave metrazh të shkurtër.

Drama e një populli do të shfaqet në këtë festival nëpërmjet filmit “Paftuar” të regjisorit shqiptaro-amerikan Roland Uruçi mes shumë kryeveprash të kinematografisë të përzgjedhur për çmimin “Palma e Artë”.

Një film me metrazh të shkurtër prej 20 minutash, “Paftuar” një film në gjuhën shqipe dhe greke është përshkruar në faqen zyrtare të festivalit kështu: “Një grup emigrantësh shqiptarë janë kapur nga njësitë patrulluese kufitare greke për të marrë masa ndëshkuese, sepse i vetmi krim që kanë kryer është kalimit ilegal i kufirit. Ata ëndërronin parajsën, dhe ajo që ata gjetën ishte ferri”.

Filmi që ka si skenarist dhe producent Julian Biba, trajton një çështje shumë të ndjeshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe ai është tepër aktual edhe në ditët e sotme, kur qindra refugjatë po përplasen në kufijtë e shteteve të Ballkanit për të shkuar në vendet e zhvilluara të Evropës. Por edhe sot shumë shtetas shqiptarë dhe kosovarë po kërkojnë azil në vendet e Evropës perëndimore, ashtu si dukur edhe sot për një jetë më të mirë.

“Paftuar” u shfaq për herë të parë në Festivalin e filmit DokuFest në Prizren nga ku zgjoi opinion publik për tematikën e veçantë të tij, në të çdokush prej nesh gjen copëza të jetës së tij, apo të miqve dhe të afërmve të tij. Filmi është ndërtuar mbi një skenar i përgatitur për një film me metrazh të gjatë, por ai u realizua i tillë për shkak të mundësive financiare. Producenti Biba ka premtuar se historia e vërtetë e këtij filmi do të realizohet e plotë me të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet që vijnë nga emigracioni. Filmi është kuruar nga drejtori i fotografisë Albert Elmazovski dhe baza muzikore nga Fatrin Krajka.

Aktorët që luajnë në këtë film janë disa ndër emrat më të njohur të artit në vendin tonë si: Laert Vasili, Albi Dhima, Artan Telqiu, Armando Dauti, Karafil Shena, Todi Llupi, Galip Cobaj, Ervin Kendella, Griseld Kapllanaj dhe Savina Alimani. Edicioni i 68 i Festivalit të Kanës do të zhvillohet nga 11 deri në 22 maj 2016, ndërsa përzgjedhja e zyrtare e të gjithë filmave do të shpallet në muajin prill./KultPlus