“Ura me tri harqe” e Kadaresë do të luhet në teatrin francez

Dy aktorë konfrontohen me njëri tjetrin, nga dy anë të urës, dy figura të bukura të skenës. Arben Bajraktaraj, një fytyrë ekspresive prej luftëtari dhe në anën tjetër Rexhep Mitrovica, një burrë me diksion, gati për dyluftim.

ShowBiz

10/03/2016 15:00

Dyshja vjen në një lexim poetik të veprës “Ura me tri harqe” nga Kadareja, me 5 prill në ‘Maison des Metallos’ në Paris të Francës. Vepra është përkthyer nga Jusuf Vrioni ndërsa për skenë është përshtatur nga Simon Pitaqaj, shkruan KultPlus.

Skenat e kësaj drame kombinojnë fuqinë dhe temën arkaike të saj, për një marrëdhënie mes të gjallëve dhe të vdekurve, me lidhjen mes modernitetit dhe grupeve e benefiteve të ndryshme.

“Ura me tri harqe” bën pjesë në një cikël romanesh e novelash, që Kadare i ka shkruar me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një “Shqipërie tjetër”, e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si figura me misione pozitive.

Autori, në pamundësi për të shprehur hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor, përpiqet t’ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në traditën e “Shqipërisë tjetër” atë fazë të historisë kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut.