Shqiptarët shkojnë “Paftuar” në Washington

Filmi “Paftuar”, i regjisorit shqiptaro-amerikan Roland Uruçi dhe producentit Julian Biba, trajton çështjen e emigrimit të shqiptarëve në Greqi gjatë viteve 1990. Në film përshkruhet trajtimi i keq i emigrantëve shqiptarë nga autoritetet greke.

ShowBiz

02/03/2016 09:47

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, regjisori Roland Uruçi dhe producenti Julian Biba thonë se emigracioni është një çështje e ndjeshme jo vetëm për shqiptarët por edhe për shumë popuj të tjerë në botë. Më 3 mars filmi “Paftuar” do të shfaqet në Uashingtonit.

​Filmi me metrazh të shkurtër, “Paftuar” trajton vështirësitë që mijëra shqiptarë përjetuan në vitet 90 në përpjekje për të emigruar në Greqi. Regjisori Roland Uruçi thotë se filmi është i bazuar në historinë skenaristit Julian Biba si emigrant në Greqi dhe ato që ai ka parë gjatë viteve 90 kur shumë shqiptarë largoheshin nga vendi për shkak të gjendjes ekonomike dhe trazirave politike në vend.​

“Filmi është bërë në bazë të përvojës së shokut tim, Julianit, si mërgimtar në Greqi në vitet 1990 kur ekonomia në Shqipëri ishte shumë e dobët dhe atje kishte luftë civile. Pra filmi është realizuar në bazë të skenarit të Julianit dhe unë e përpunova atë për ta bërë më shumë si një film”, ka deklaruar regjisori.

Përveç premierës në festivalin Dokufest në Kosovë, filmi “Paftuar” është shfaqur para një audience private në Nju Jork. Më 3 mars filmi do të shfaqet në Uashington.  Regjisori Uruçi dhe producenti Biba shpresojnë se shfaqjet e filmit “Paftuar” do t’u ndihmojnë të gjejnë mbështetje për të realizuar versionin e plotë të filmit. /Zeri i Amerikes