Mustafa thotë se seancat e Kuvendit më nuk do të mbahen në sallën alternative
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se pozita më nuk do të tërhiqet për t’i mbajtur seancat lart në sallën alternative, sepse 90 deputetë nuk mund t’i dorëzohen dhunës, gazit lotsjellës dhe tekeve të një grupi të opozitës.

Lajme
Ai para gazetarëve në Stantërg, ka thënë se gazi, dhuna dhe pengesat në parlament nuk janë argument që duhet ofruar qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe perspektivës së vendit.
“Unë do të dëshiroja që ngjarjet e djeshme të Kuvendit të jenë të fundit, sepse vërtetë nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë domethënie që të hidhet gaz lotsjellës dhe të tentohet që me dhunë të bllokohet puna e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Parlamenti është vend ku pozita dhe opozita duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët që të diskutojnë të gjitha çështjet që preokupojnë vendin dhe unë do ta ftoja opozitën që të jetë në parlament por gazi, dhuna dhe pengesat në parlament nuk janë argument që duhet ofruar qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe perspektivës së vendit”, ka Mustafa.
Mustafa ka komentuar edhe dorëheqjen e Haradinajt nga Kuvendi. Ai ka thënë se pret nga ai dhe Limaj që atë të japin kontribut për demokracinë e vendit.
“Ajo që unë pres nga Haradinaj, veçmas nga Limaj, sepse janë njerëz që kanë punuar në institucione, kanë kontribuar në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë dhënë kontribut për këtë liri dhe pavarësi, pres që ata t’i kontribuojnë demokracisë dhe punës së Parlamentit të Kosovës, pavarësisht nëse Haradinaj është apo jo tani deputet i Parlamentit të Kosovës”, ka thënë ai.
“Unë mendoj se opozita nuk ka asnjë arsye të mos kthehet sepse nuk është argument as kauzë demarkacioni dhe as asociacioni që ata të mos jenë në Kuvend, ata mund të provojnë ta pengojnë, por puna e kuvendit nuk do të pengohet sepse ne kemi detyra para qytetarëve të cilat duhet t’i përmbushim, sepse nuk është çështje e tekeve dhe inateve të opozitës, por çështje e mandatit të fituar nga qytetarët dhe çështje e funksionimit të shtetit… shteti nuk do të dorëzohet as para gazit lotsjellës, as para dhunës, por ne jemi të interesuar që krahas shtetit ta ndërtojmë një demokraci me të cilën ne do të mburremi para opinionit ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, askush më nuk do të mbaj seanca lartë në sallën alternative.
“Unë mendoj se skenari i tillë nuk duhet të vazhdojë, por Kuvendi duhet të punojë, dhe Kuvendi duhet të punojë në atë sallë ku ka punuar dje, askush më nuk do të tërhiqet që të shkojë lart, sepse 90 deputetë nuk mund t’i dorëzohen dhunës, gazit lotsjellës dhe tekeve të një grupi të opozitës”, ka thënë ai.
Ai këto komente i bëri pas shënimit të 27 Vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës në Stanterg të Mitrovicës.