Rritet presioni mbi David Cameron

Numri i punëtorëve emigrantë në Britaninë e Madhe, të ardhur nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian vazhdon të rritet, në kundërshtim me premtimet e qeverisë konservatore, për vënien nën kontroll të këtij fluksi.

Bota

18/02/2016 16:41

Pikërisht ky numër rrezikon të vërë në vështirësi kryeministrin britanik, David Cameron, në negociatat me Brukselin, për të ardhmen evropiane të Mbretërisë së Bashkuar.

Kështu nënvizonin në të njëjtën linjë gazetat britanike me ndikim ”Times” dhe ”Daily Mail” në këto orë të përcaktuara si ”vendimtare” për Downing Street-in, transmeton mapo.

Këtë çështje të nxehtë kryeministri Cameron kërkon ta mbyllë gjatë samitit të sotëm dhe të nesërm të BE-së, për të zhvilluar më vonë referendumin mbi të ashtuquajturin ”Brexit”.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), gjatë vitit 2015 në Britaninë e Madhe mbërritën 215 mijë punëtorë të tjerë evropianë, shumica nga Polonia dhe shtatë vende të tjera të Lindjes, duke e çuar në 2,04 milionë numrin e tyre.