Regjisori gjerman nuk e ka ndërruar kostumin që 25 vite

Regjisori gjerman, Werner Herzog, i cili është edhe skenarist, autor, aktor dhe regjisor operash, ka folur për jetën e tij në intervistë për ‘The Talks’.

ShowBiz

09/02/2016 16:36

Herzog rrëfen jetën e tij shumë të thjeshtë për nga ana materiale, por shumë përmbajtjesore shpirtërisht. Regjisori gjerman tregon se janë bërë 25 vite që kur e ka blerë kostumin e fundit, transmeton lajmi.net

“Këtë kostum që e kam veshur e kam që 25 vite dhe ky është i vetmi kostum që kam blerë gjatë kësaj periudhe. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë tjetër”, deklaron Herzog.

Nuk është vetëm kostumi. Janë edhe këpucët që autori gjerman i ka blerë para tri vitesh dhe vetura para 12 vitesh.

“Këpucët që i kam të mbathura, i kam blerë para tri viteve dhe nuk kam të tjera. Megjithatë, më duhet t’i ndërroj sepse kanë filluar të dëmtohen. Por nuk kam nevojë për 20 palë këpucë. E kam një veturë që 12 vite. Është e mirë. Unë e shijoj jetën me gjëra themelore. Nuk kam profile në rrjetet sociale. Madje nuk kam as celularë. Ndoshta jam i vetmi kundërshtar i kulturës komerciale”, deklaron Herzog.

Ai thotë se nuk dëshiron të jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës. Atij i pëlqen që të jetë në kontakt me njerëzit por në mënyrë përmbajtjesore.

“Nuk shkoj kurrë nëpër ndeja, por i ftoj miqtë dhe gatuaj për ta. Ulemi në tavolinë, më së shumti 6 persona, sepse për më tepër nuk ka vend në tavolinë. Dhe kur flasim me njëri-tjetrin, të gjithë flasim për të njëjtën temë. Ndërkaq kur shkon në një ndejë, atje mund të jenë rreth 200 veta, muzikë me zë të lartë dhe në secilin kënd fliten tema të ndryshme dhe biseda të shkurtra”, ka thënë ndër të tjera Herzog. /lajmi.net