Regjisori i ‘Shok’ tregon për lajmi.net për filmin nga Kosova që ka bërë historinë (FOTO/VIDEO)

“Shok” është filmi i regjisorit Jamie Donoughue me aktorë shqiptarë, që është bërë duke menduar që në Kosovë ka tregime të patreguara.

ShowBiz

14/01/2016 20:28

Tri histori të vërteta, janë gërshetuar në njëra tjetrën, për të bërë një tregim të vetëm, që tregon gjenocidin serb që ndodhi në Kosovë.

Regjisori anglez Jamie Donoughue, zgjodhi aktorët e edhe vend xhirimet në Kosovë, kështu realizoi filmin “Shok” që sjellë Petritin dhe Okin, dy shokë të ngushtë të cilët gjenden në situata të vështira në kohën e luftës së Kosovës. Miqësia e tyre vihet në provë në këtë dramë.

Filmi në 21 minuta tenton të sjellë luftën në një film që vetë regjisori thotë se nuk është film për luftën, por më shumë një film që largon ndasitë dhe tregon se jetërat e njerëzve janë barazueshëm të vlefshme dhe se jemi më të ngjashëm sesa mendojmë, raporton lajmi.net.

Ai gjatë intervistës së dhënë për lajmi.net sqaron për atë se si pati probleme me fluturimin kur po vinte në Kosovë për herë të parë.

“Kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë, pata problem me fluturim. Megjithatë, sapo erdha këtu hasa në profesionalizëm aktoresk. Filmi “Shok” sjellë historinë e dy të rinjve dhe është film universal, për secilën luftë dhe ndjenjë afeksioni”, ka deklaruar pë lajmi.net kohë më parë.

“Mendoj se Kosova ka tregime të patreguara dhe ka qenë detyrë imja që të transmetoj një të tillë”, pohon regjisori Donoghue, regjisor i filmit “Shok” në të cilën luajnë Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi.

“Ka pasur njerëz që kanë ardhur e më kanë treguar se kanë interesim për Kosovën, duan të dinë më shumë, pra filmi u ka dhënë shkëndija për më shumë informacion. Nëse diçka e tillë ndodh me filmin “Shok” atëherë unë ndihem mirë dhe filmi ka pasur suksesin dhe ndikimin e tij”, thotë Donoughue për lajmi.net.

Filmi është nominuar edhe për çmimin ‘Oscar’ në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, duke u bërë kështu filmi i parë shqiptar që merr këtë vlerësim nga Akademia Amerikane e Filmit./lajmi.net

 Jamie me aktorët e filmit Shok