Serbia me faqe interneti kundër Kosovës në UNESCO

Autoritetet serbe kanë vazhduar fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke e lansuar një faqe interneti.

Lajme

03/11/2015 13:14

Pas postimit të disa filmave në internet rreth krimeve, siç ata i kanë quajtur të “terroristëve shqiptarë” në Kosovë, uebfaqja nokosovoinunesco.com është aktivizuar online, duke i dokumentuar mesazhet urrejtëse ndaj serbëve, kishat, varret e shkatërruara dhe veturat e djegura, transmeton KosovaPress.

Fushatës iu ka bashkangjitur edhe presidenti serb Tomislav Nikoliq, duke apeluar tek populli serb që ta shpërndajnë të vërtetën për Kosovën nëpërmjet postimit online në rrjete sociale, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug.”

“Derisa ajo që është e jona po debatohet në Paris, ne nuk mund të rrimë të qetë nëpër shtëpitë tona dhe në mënyrë naive të besojmë se e vërteta do të fitoj vetvetiu, pa përpjekjet e ndonjërit nga ne – ne mund të bëjmë diçka, sado e vogël që mund të duket”, ka thënë Nikoliq.