Prokuroria e Kosovës raporte të mira me atë të Malit të Zi
Një delegacion i prokurorëve të Prokurorisë së Shtetit, i udhëhequr nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është duke qëndruar në Prokurorinë Supreme të Malit të Zi, me ftesë të kryeprokurorit të këtij shteti.

Lajme
Delegacioni i prokurorëve kosovarë po merr pjesë në shënimin e ditës së Prokurorisë Supreme të Malit të Zi, e cila është organizuar nga Shoqata e Prokurorëve të Shtetit, në bashkëpunim dhe mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Mal të Zi.
Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit kanë diskutuar për “Reformat e legjislacionit penal dhe rregullat e reja organizative”.
Pjesëmarrësit, kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht ndërmjet prokurorive në rajon, si të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Serbisë.
Kryeprokurori Lumezi, ka theksuar se Prokuroria e Kosovës ka marrëdhëniet të mira bashkëpunimi me Prokurorinë e Lartë të Malit të Zi.
Ai ka thënë se në ditët e sotme të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë, ballafaqohen me format më të rënda të dukurive kriminale të krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe të krimit ekonomik, të cilat edhe përmes bashkëpunimit kriminal ndërkufitar përhapin ndikimin e tyre negativ, sikurse në shoqëri ashtu edhe në minimin e themeleve të shteteve të rregulluara demokratike.
“Luftimi i këtyre dukurive kërkon bashkëpunim të ngushtë mes shteteve, gjegjësisht, institucioneve, të cilat mbrojnë dhe zbatojnë sundimin e Ligjit. Për këtë arsye dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për të inkurajuar të gjithë të pranishmit se vetëm me një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë të të gjitha prokurorive në regjion, mund të arrihen rezultate pozitive kur flasim për dukurit më komplekse kriminale”, ka thënë Lumezi.
Sipas tij, institucioni i Prokurorit të Shtetit, i Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Supreme e Shtetit të Malit të Zi, kanë pasur gjithmonë marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë. Kjo formë e bashkëpunimit ka rezultuar me nënshkrim in e Memorandumit të Bashkëpunimit të datës 26 qershor 2009 në mes Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Supreme të Shtetit të Malit të Zi.