Dega e PDK-së në Gjilan: Haziri nuk ka moral politik

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, me anë të një komunikate sot e ka kritikuar kryetarin e Gjilanit Lutfi Hazirin. Sipas zyrtarëve të PDK-së dega në Gjilan “gjuha e fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve që e përdor” janë një shqetësim i madh.

Lajme

01/11/2015 17:21

Në komunikatën që ka lëshuar dega e PDK-së në Gjilan përmenden disa raste të mëhershme kur Lutfi Haziri kishte përdorur sipas tyre gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj deputetëve.

Sipas tyre ai tregohet “i kulturuar dhe i matur” vetëm kur e ka punën ngushtë, në të kundërtën çdo herë gjuha e tij është fyese, kërcënuese dhe ofenduese.

Lexoni më poshtë komunikatën e plotë të lëshuar nga dega e PDK-së në Gjilan.

“Sikur Lutfi Haziri të ishte aq burrë dhe të kishte aq shumë moral politik, do të ishte për lakmi se si ai po e këshillon Ramush Haradinajn dhe të tjerët, që të ruajnë institucionet e Kosovës dhe të ndalin gjuhën e sjelljen denigruese ndaj njëri tjetrit.

Lutfi Haziri vetëm kur e ka punën ngushtë tregohet “i kulturuar dhe i matur”, përndryshe gjuha e tij e përdorur ndaj rivalëve politik, çdoherë ka qenë fyese, kërcënuese dhe ofenduese.

Jo më larg se vitin e kaluar Lutfi Haziri e kishte quajtur Albin Kurtin “Hajn të pulave” duke e krahasuar me Ahmet Zogun si dhe duke e prekur në moral. Ndërsa kryetari i tij i LDK-së e kishte quajtur atë edhe “gomar”.

Po vet Luta dhe bashkëpartiakët e tij para koalicionit PDK-LDK, i etiketonte, akuzonte dhe i quante edhe kriminel udhëheqësit më të lartë të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ndërsa sot i ledhaton ata.

Para pak viteve kur Hashim Thaçi e vizitonte Gjilanin, ishte po ky Lutë që ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës e quante “jabanxhi” në vendin e vet, atë dhe ekipin e tij i quante “njerëz me maska” dhe “Hiena”, kur mundohej dhe mendonte se po kërcënonte ish qeverisjen lokale me dhunën e “Ushtarëve të Rugovës” të cilët pasi erdhi në pushtet nuk po i përmend më asnjëherë këta “ushtarë”, i harroi krejt pasi i mashtroi keq ata.

Jo vetëm gjuhën e fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve e përdorë Lutfi Haziri, por tipare të veçanta të karakterit të tij politik janë mashtrimi, shpifjet dhe etiketimet. Fatkeqësisht ai është i paskrubullt në politikë, ditën i fyen dhe i shanë ata, ndërsa natën me të njëjtit njerëz darkon, pra ky është morali politik i Lutës”/lajmi.net