Dialogu i pashpresë

Jeta e organit më të lartë në vend, Kuvendit të Kosovës, është paralizuar pothuajse tash e një muaj. Ky bllokim po vjen nga tre partitë opozitare (LVV, AAK, NISMA) të cilët po kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit të Kryeministrit Isa Mustafa ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Lajme

20/10/2015 15:17

Ata kategorikisht janë duke kundërshtuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit me Komuna Serbe. Këto dy marrëveshje sipas opozitës do t’i sjellin dëm Republikës së Kosovës.

E për këtë krizë të jetës politike në vend pas deklarimeve edhe nga ndërkombëtarët se zgjidhja duhet bërë nga vet liderët vendorë, ka intervenuar e para e vendit Atifete Jahjaga. Ajo po ndërmjetëson këtë situatë ku edhe ka ftuar në takim tre liderët opozitar për të gjetur një zgjidhje. Jahjaga ka takuar tre lidert opozitar mirëpo nga ky takim i paradites së sotme, opozitarët nuk reflektuan për të dalë nga kjo krizë politike.

Në vazhdën e takimeve, Jahjaga ka takuar edhe Grupin 6+ , si dhe përfaqësuesit e listës serbe për të shkuar drejt një zgjidhjeje.

Ndërkaq për këto takime analisti Imer Mushkolaj nuk sheh zgjidhje. Ai thotë për “Zërin” se takimet me opozitarët nuk do të sjellin ndonjë reflektim të situatës në vend, ndërsa iniciativa e presidentes Mushkolaj thotë se është dashtë të ndermirët më herët.

“Jam skeptik nëse këto takime do të sjellin rezultat  duke pas parasysh qëndrimet e opozitës dhe partive në pushtet. Presidentja e ka marrë një iniciativë që i ka takuar  të ndërmarr edhe më herët mirëpo këto takime nuk do të sjellin ndonjë të mirë thjesht këto takime nuk e zgjidhin prizën e problemit. Këtë hap Jahjaga e ka ndërmarr edhe pas deklaratave të ndërkombëtarëve por presidentja nuk është ajo që do të mund ta zgjedhin këtë problem. Mund të themi se përgjigja pozitive e liderëve opozitar ndaj ftesës së Jahjagës tregon një respektueshmëri të plotë ndaj vet Presidentes por nuk pres zgjidhje në këto rrethana” ka deklaruar Mushkolaj.

Edhe analisti Halil Matoshi mendon se e para e vendit është vonuar në me ndërmjetësimin të situatës dhe se vizitat e liderëve tek ajo janë të kota.

Matoshi thotë se Presidentja duhet të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit që të zbatoj rregulloren e punës në seancat parlamentare.

“Duket se Presidentja është e vonuar dhe nuk i kupton fare këto lojëra, sëkendejmi “vizitat” tek ajo, janë të kota dhe nuk e debllokojnë jetën institucionale. Ajo decidivisht duhet të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit që ta zbatojë rregulloren e punës dhe që, nëse opozita nuk heq dorë, të inkurajojë policinë e shtetit ta përdor “dhunën legjitime” në debllokimin e institucioneve (Kuvendin) dhe zbatimin e Nenit 84, polika 2 të Kushtetutës së Kosovës, garantimin e funksionimit demokratik të Institucioneve!” ka thënë Matoshi.

Ndryshe edhe sot Kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur për ndonjë seancë parlamentare gjatë kësaj jave, ku edhe anëtarët e kryesisë kanë propozuar që mos të ketë seancë për arsye që t’i jepet hapësirë Presidentes ndaj takimeve me liderët vendor./Zëri