Viti 2014 shënon rënie të lexueshmërisë në biblioteka
Fondi i librave në biblioteka ishte 1 608 512 ekzemplarë, me numër të lexuesve 161 713. Ndërsa krahasuar me vitin 2013 numri i lexuesve në biblioteka, në vitin 2014, ka shënuar rënie për 4.8%.

Lajme
Kështu thuhet në publikimin e të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), “Statistikat e Kulturës 2014”, ku ofrohen të dhëna statistikore, lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë etj.
Kurse, Teatri Kombëtar në Prishtinë në vitin 2014 ka shfaqur 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7 600, ose 1.3% më shumë se sa në vitin 2013.
“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në vitin 2014 ka qenë 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7 600. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka pasur rritje për 1.3%. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ka qenë 6 premiera dhe 235 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 22 141. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 22.9%. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ka qenë 5 premiera dhe 27 repriza, ndërsa numri i shikuesve k a qenë 10 415. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 4.4%. Ndërkaq, në Galeritë e Arteve të Kosovës, numri i ekspozitave të realizuara ka qenë 34, ndërsa numri i vizitorëve 12 740. Krahasuar me vitin 2013, numri i vizitorëve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 10.8%”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.
Numri i filmave të shfaqur në kinema ishte 125, prej tyre 17 filma vendorë dhe 108 të huaj, me gjithsej numër të shikuesve 68 621. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka pasur rritje për 35.3%./Kp