Opozita në krizë për protestues

Partitë opozitare tashmë kanë mbledhur rreth 200 mijë nënshkrime kundër marrëveshjes për asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

15/10/2015 16:52

Ata po ashtu kanë vazhduar bllokimin e funksionimit të Parlamentit dhe sulmet me vezë kundër zyrtarëve të Qeverisë.

Megjithëkëtë, partitë opozitare, ndonëse kanë paralajmëruar tash e disa javë një demonstratë masive, ata ende po hezitojnë të thërrasin qytetarët në rrugë.

Kjo, ngase opozita me veprimet e fundit të dhunshme, duket se kanë humbur mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe të vetëdijshëm për këtë gjë, ata po e tensionojnë situatën dhe po mundohen të shkaktojnë trazira, raporton lajmi.net.

Mungesa e mbështetjes së opozitës u pa sot edhe me numrin e vogël të mbështetësve që ishin tubuar para Kuvendit të Kosovës. Edhe pse mbrëmë kanë qarkulluar informacione se partitë opozitare u kanë bërë thirrje simpatizantëve të tyre që sot të mblidhen para Kuvendit.

Për numrin e vogël të mbështetësve të opozitës, analisti i vendit Nexhmedin Spahiu, tha për lajmi.net se kjo është si pasojë e veprimeve të tyre shumë të dhunshme dhe se kur ka dhunë njerëzit nuk bashkohen.

Ndërsa për zhvillimet e sotme në Kuvend, Spahiu tha se situata do të përshkallëzohet edhe më shumë nëse nuk do të ketë një intervenim të ambasadave të Kunitit, ku e vetmja zgjidhje sipas tij, është formimi i një Qeverie teknike gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë siç thekson ai, do të ishin përfaqësuesit e të gjitha partive  në Parlament me një mandat njëvjeçar derisa  të qetësohen gjakrat.

Madje kur është fjala për zgjedhjet, ai shtoi se Kosovë është në një situatë shumë të rrezikshme dhe zgjedhjet vetëm do ta përkeqësonin situatën.

Thotë se shkaktari kryesor i gjithë kësaj është koalicioni PDK-LDK.

“Mendoj që shumë më kontaminuese është për shoqërinë që Mustafa ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në dhe e ka bërë dhe ai tani është Kryeministër, kjo është kontaminuese për shoqërinë sesa ajo që Kurti gjuan më gazlotsjellës në Parlament”, pranoi ai. Ndonëse pranon se të dyja veprimet janë të këqija dhe të papranueshme./lajmi.net.