KMDLNJ kërkon që të mos thirren seanca pa u krijuar kushtet
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar në lidhje me ngjarjet që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Lajme
KMDLNj e ripërsërit qëndrimin se përdorimi i gazit lotsjellës nga cilado palë është veprim i dhunshëm që për pasojë ka rrezikuar shëndetin për të gjithë të pranishmit, ndërsa për ata me sëmundje kronike paraqet rrezik edhe për jetën e tyre. Përkundër masave të shtuara të sigurisë dhe kontrollit, gazi lotsjellës u fut në hapësirat e Kuvendit për t’u aktivizuar në kohën kur parashihej fillimi i seancës.
KMDLNj, përmes një njoftimi, vlerëson se nuk ka masa sigurie apo kontrolli që mund të përdoren e që do të pengojnë futjen e gazit lotsjellës në Kuvend prandaj është e parëndësishme se kush e futi gazin lotsjellës brenda apo kush e aktivizoi për faktin se opozita po vepron e sinkronizuar mirë dhe nuk po fshihet pas këtyre veprimeve por po e bënë në mënyrë të hapur dhe shumë transparente.
Deri më tani Kryesia e Kuvendit, kryetari e as vet deputetët nuk po gjejnë zgjidhje për këtë situatë prandaj KMDLNj pati propozuar që presidentja e Kosovës të shfrytëzojë mandatin dhe detyrimin kushtetues për të garantuar funksionalitetin e institucioneve të Kosovës të cilat nuk mund të funksionojnë pa një punë normale të Kuvendit të Kosovës.
KMDLNj vlerëson se nuk duhet të thirret seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës pa u krijuar kushtet, qoftë përmes marrëveshjes pozitë-opozitë, ndërhyrjes së presidentes së Kosovës apo ndonjë formë tjetër që e përjashton dhunën, si mjet i zgjidhjes së problemit.