FSHF tallet me De Biasin

Çështja e ditës në Shqipëri pas kualifikimit të Kombëtares në Evropianin e Francës është nëse do të rinovojë trajneri Gianni De Biasi apo jo.

Sport

15/10/2015 12:00

Qartazi pas ndeshjes palët u panë disi larg, edhe pse gjuha e përdorur ishte e moderuar. Trajneri italian tha se kontrata e tij rinovohej automatikisht, sepse ky paskësh qenë një premtim publik i Dukës. Presidenti i FSHF-së, nga ana tjetër, nuk e mohoi këtë fakt, por i përplasi në fytyrë trajnerit diferencën në shifra.

I “përkthyer” pak më thjesht mesazhi ishte ky “Rinovimi i trajnerit varet nga shuma që do të kërkojë…”. E, nëse deri tani palët kanë qenë të përmbajtura duke preferuar diplomacinë, menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, është fare i drejtpërdrejtë. Krejtësisht i ndryshëm në stil me De Biasin dhe Dukën, ai thotë se trajnerit i skadon kontrata në fund të finaleve të Evropianit dhe se qëllimi është që të rinovohet me italianin, porse në listë ka edhe të tjerë, transmeton panorama sport.

Madje, sipas tij, disa emra të njohur janë vetofruar për të marrë drejtimin e Kombëtares. “Loku” i çon një mesazh të qartë De Biasit se nuk është i pazëvendësueshëm. Dhe në të tilla tema të nxehta deklaratat e tij nuk vijnë pa “bekimin” e zyrave të FSHF-së që, në fund të fundit, i kanë dhënë edhe autoritetin që të mbajë një pozicion të rëndësishëm në përfaqësuese. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare thotë se meritën për kualifikimin e kanë lojtarët dhe presidenti i FSHF-së.

“De Biasi ka një kontratë deri në fund të Evropianit dhe më pas mbaron! Ai është i pari në listë, por Shqipërisë në këto momente që flasim i janë afruar shumë trajnerë të mëdhenj nga bota e futbollit! “, shprehet Bushi.

“Kam dëgjuar që të flitet shumë se kush i ka meritat më të mëdha për këtë arritje historike… Për mendimin tim, meritat i kanë të gjithë shqiptarët anembanë botës… Meritat i kanë të gjithë ata djem që dhanë 200% në fushën e lojës, por merita më e madhe është e një njeriu të vetëm që quhet Armand Duka. Ai e bëri këtë popull të gëzojë njëherë në historinë e tij ashtu siç i ka hije. Na bëri të ndihemi krenarë. Na bëri që kudo që të shkojmë të themi me zë të lartë se jemi shqiptarë!”, tha Bushi.