Kurti kishte ftesë për t’u paraqitur në Polici
Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se ndalimi i Albin Kurtit është bërë me urdhër të Prokurorit, pas incidentit të ndodhur në seancën e Kuvendit të Kosovës, javën e kaluar.

Lajme
Sipas policisë pas hedhjes së gazit lotsjellës nga Albin Kurti në seancën e 8 dhjetorit, një ditë më pas atij i është dërguar ftesa që të paraqitet në polici, por që i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se pas refuzimit të Kurtit për tu paraqitur në polici, ata kanë zbatuar urdhrin e prokurorit.
“Ajo çfarë dua të them është se Policia e Kosovës veprimet e saj i ka bërë në formë të urdhrit të dhënë nga prokurorit kompetent”.
“Policia e Kosovës të njëjtin e ka lajmëruar dhe e ka njoftuar që të paraqitet në stacionin policor, ashtu siç parashihet me urdhër të Prokurorit. Mirëpo i njëjti nuk i është paraqitur thirrjeve të policisë dhe pastaj Policia e Kosovës është detyruar që në momentin kur ta takojë ta sjellë për intervistim në stacion”.
“Një ditë pas seancës i njëjti është ftuar që ta paraqitet në stacion, por ai nuk është paraqitur dhe ka realizuar një vizitë jashtë shtetit. Në momentin e kthimit të tij ne kemi vazhduar me realizimin e urdhëresës”, ka thënë Kelani.
Ai po ashtu ka thënë se lirimi i Kurit nuk ka ndodhur si dorëzim i policisë para protestuesve, por ka ndodhur pas vendimit të Prokurorit.
“Pas realizmit të procedurave policore, ka qenë vendim i prokurorit për tu liruar dhe ne e kemi zbatuar të njëjtin vendim. Lirimi i tij, ka ndodhur për shkak të vendimit të dhënë nga prokurori që ai të lirohet në procedurë të rregullt”, ka thënë Kelani për lajmi.net.
Albin Kurti pas lirimit mbrëmë është deklaruar se ai nuk është informuar për ndalimin dhe se gjatë qëndrimit të tij në stacionin policor nuk ka ardhur asnjë prokuror.
E për mungesën e prokurorit policia ka thënë se për këtë çështje duhet pyetur në prokurori, pasi policia vetëm ka kryer procedurat policore. /lajmi.net