Bjeshkatarët shqiptarë sulmohen nga serbët në Brezovicë

Katër persona, tre shqiptarë, anëtarë të shoqatës bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni dhe një sllovene, janë sulmuar nga disa serb në Brezovicë. Një serb tashmë intervistuar dhe pritet të ngritët kallëzim penal për të.

Lajme

03/08/2015 19:31

Me goditje në fytyrë, kërcënime me thikë, e duke kënduar këngë nacionaliste serbe, një grup serbësh përveç që i sulmuan bjeshkatarët shqiptarë, i detyruan të largohen nga aty dhe u dhanë ultimatum 5 minuta. Ata edhe kanë shtënë me armë. Të paktën kështu deklarojnë bjeshkatarët për lajmi.net.

Përveç tjerash bjeshkatarët kanë marrë lëndime edhe duke ikur nga mali në orën 3 të mëngjesit, e ata deklarojnë se serbët edhe kanë shtënë më armë, kallashnikovë.

Njëri nga këta bjeshkatarë, për lajmi.net deklaron se njëri nga ta është goditur në fytyrë nga serbët, e edhe janë kërcënuar më armë por nuk kanë arritur t’i godasin.

Por, në fund në ndihmë, në mënyrë që të mos u ndodhte më e keqja u dolën tre persona pjesë e grupit të serbëve.

Bjeshkatarët shqiptarë deklarojnë se ata që u ndihmuan, njëri ishte nga Maqedoni e dy të tjerët ishin serbë lokal nga komuna e Shtërpcës. Ata i shoqëruan edhe deri në një pjesë që e konsideronin më të sigurt.

Rasti është hapur në Polici dhe bjeshkatarët thonë se Policia u ka thënë që do i presin derisa serbët zbresin poshtë, për t’i arrestuar.

Policia në Prizren konfirmon për lajmi.net se rasti është paraqitur, pra që ka pasur të shtëna me armë në Brezovicë te antena numër 2.

Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit tha për lajmi.net se rajoni ku ka ndodhur është në kompetencat e stacionit policor të Shtërpcës.

“Prizreni ka njoftuar ata dhe ata kanë marr obligim që të hetojnë rastin”, tha Berisha.

E Policia e Ferizajt, stacioni Shtërpcë, bënë të ditur për lajmi.net se një person, serb, është intervistuar dhe hetimet po vazhdojnë.

Basri Shabani nga Policia e Kosovës, rajoni Ferizaj tha për lajmi.net se është intervistuar një serb që ka kanosur bjeshkatarët.

“Ai person ka kanosur bjeshkatarët, të tjerët kanë qetësuar situatën. Është intervistuar dhe pritet të ngritët kallëzim penal për të”, tha Shabani.

Ndryshe, bjeshkatarët shpjegojnë se ata kishin planifikuar aktivitetin bjeshkatarë “Traverse Luboten to Korab” një aktivitet që ishte lajmëruar dhe i organizuar nga ana e anëtarëve të lartcekur dhe me të arritur në majën e Lubotenit filluan zbritjen dhe pastaj ngjitjen drejt liqenit të Livadheve ku ishte planifikuar kampimi i parë.

Thotë se aty filluan të ngrisin kampin dhe panë që ishin edhe të ngritur 3 tenda.

Deklarojnë se grupi që e gjetën aty kishin ngritur flamuj serbë me ikona nacionaliste, e dikur edhe të tjerë u janë bashkuar, ku krejt bashkë, sipas bjeshkatarëve, filluan të këndonin këngë nacionaliste ku dëgjohej që përmendej edhe krimineli Arkan./lajmi.net