“Corriere della Sera”: Shqipëria në vendet e rrezikuara nga terrorizmi
Shërbimet Inteligjente Perëndimore ishin në dijeni për sulmet e përgjakshme terroriste të një dite më parë në Tunizi, Francë e Kuvajt. E përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruan se paralajmërimin e kishte bërë Abu Mohammed al-Adnani, zëdhënësi i Shtetit Islamik.
Lajme
Përmes një video – mesazhi, ai thoshte: “Veprimi më i mirë për t’iu afruar Zotit është Xhihadi. Ndaj nxitoni për t’a bërë këtë, gjatë këtij muaji dhe përgatituni për martirizim”.
Sipas “Corriere della Sera”, që prej sulmeve ndaj redaksisë së “Charlie Hebdo” në Janar në Paris, edhe Italia është e rrezikuar seriozisht. Pas akteve të një dite më parë, Ministria e Jashtme italiane ka ripërpunuar hartën e vendeve, ku shtetasit italianë janë të rrezikuar nga terrorizmi.
Sipas kësaj harte, të rrezikuar janë edhe ata në Shqipëri. Vendi ynë renditet në të njëjtën kategori me vendet e tjera të rajonit si Bosnja, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, ku italianët këshillohet të kenë kujdes gjatë udhëtimit.
Rreziku më i lartë janë vendet e Afrikës Veriore si Maroku, Algjeria, Libia, Sudani, Nigeria, por edhe Somalia. Përjashtim nuk bëjnë as zonat e famshme turistike të Egjiptit, si “Sharm el Sheik”, për të cilën qeveria italiane këshillon të shmangen udhëtimet.
Megjithatë rreziku, sipas Ministrisë së Jashtme italiane është evident në të gjithë botën. Që prej fillimit të vitit, vetëm në Itali janë zbuluar dhe dëbuar 37 xhihadistë, që ushtronin aktivitetin në këtë vend.