Propozimi i Dedës për Gjykatë për Krime Lufte

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, sugjeron të gjitha partitë politike se pas dështimit të votimit pro ndryshimeve kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale, të ulën dhe të gjejnë alternativë tjetër.

Lajme

27/06/2015 14:00

Në një postim të tij në Facebook, Deda ka propozuar që njëra nga alternativat e mundshme, mund të jetë një Gjykatë për Krime Lufte me seli në Kosovë, qoftë edhe me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

“Tash, pa inate, të gjitha partitë politike në Kuvend duhet të ulen dhe ta propozojnë alternativën e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale që nuk kaloi dje. As nuk duhet Qeveria të inatoset dhe për inat ta procedojë amandamentin e dështuar kushtetues, dhe as nuk duhet të barrikadohet opozita”.

“Tash duhet të merremi vesh për Gjykatën e Kosovës për Krime Lufte. Gjykatë të njëjtë çfarë kanë Kroacia, Bosnja e Serbia. Mund ta bëjmë këtë Gjykatë të Kosovës për Krime Lufte, me seli në Prishtinë; edhe nëse është me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë; të bëhen gjykimet në Kosovë për çfarëdo pretendimi; dhe të pajtohemi për dëshmi dhe mbrojtje të dëshmitarëve jashtë Kosovës që janë të rrezikuar këtu”.

“Ekziston edhe rruga e cila e sforcon shtetin tonë dhe pjekurinë politike dhe shoqërore për ballafaqim me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, dhe jo vetëm sipas pretendimeve të Martyt. Pa inate, pa barrikadim”.