Ata duan ta marrin Gazivodën, madje me nënshkrimin tonë

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk do të lejojë që asnjë vend në të cilin ka investuar Serbia të bëhet pronë e shqiptarëve, gjë të cilën, sipas tij, shqiptarët dëshirojnë ta arrijnë.

Lajme

24/06/2015 17:39

Si rrjedhojë e kësaj, kryeministri serb ka thënë se shteti i tij nuk do të lejojë që liqeni i Gazivodës (Ujmanit), të kalojë në menaxhimin e Prishtinës zyrtare.

“Nuk kam të drejtë të dorëzohem, nuk mundem dhe nuk dua. Nuk ekziston ndonjë gjë në rruzullin tokësor që do të më detyronte të dorëzohem”.

“Ashtu siç na kanë marrë vazhdimisht nga Trepça, nga Shtërpca dhe nga çdo vend tjetër, ashtu dëshirojnë që nëpërmjet nënshkrimit tonë ta marrin Gazivodën dhe komplet rrjetin e ujësjedhësit”, ka vazhduar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Ndërsa ai më tutje, Vuçiq për mediat serbe, ka thënë se gjoja privatizuesit e distribuimit të energjisë elektrike, kompania turke “KEDS” gënjejnë kur pretendojnë se janë pronarë të Gazivodës.

“Turqit pretendojnë se janë pronarë , ndërsa unë ju them, mos gënjeni, sepse ju nuk keni menduar të shkoni në Veri të Kosovës, tash gënjeni se gjoja e keni blerë nga Prishtina”, ka vazhduar Vuçiq.

Ai ka vazhduar duke thënë se asnjëherë nuk do ta pranojë një gjë të tillë, dhe se ata duhet të gjejnë dikë tjetër që e pranon.

Ndërsa, sa i përket bisedimeve të djeshme në Bruksel, Vuçiq është shprehur të ketë pasur shumë presion, ndërsa, nga delegacioni i tij kërkoi që të fokusohen dhe të bëjnë punën e tyre.