Ja temat e bisedimeve në tre ditët e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë
Nga 15 deri më 18 qershor, Kosova dhe Serbia do mbajnë takime në Bruksel për tema të ndryshme.

Lajme
Ndër kryesoret pritet të jetë bisedimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për telekomunikacionin si dhe për energjinë.
Lajmi.net, ka provuar të marrë qëndrime zyrtare nga Qeveria e Kosovës për temat që do të bisedohen në këto takime në Bruksel, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur meqë zyrtarët qeveritar nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, sipas medieve serbe, drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriç, do të drejtojë delegacionin e Beogradit, i cili në kuadër të dialogut teknik në mes Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahet nga 15-18 qershor, do të marrë pjesë në bisedimet për formimin e komunave serbe, telekomunikacionit, energjisë si dhe gjitha çështjeve tjera të pazgjidhura.
Përveç Gjuriçit dhe përfaqësuesit të Zyrës për Kosovë, në diskutimet e nesërme mbi çështjet e telekomunikacionit, do të marrë pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kordinim në procesin e negociatave me Prishtinën, Dragan Vladisavleviq, dhe përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë Turizmit dhe Telekomunikacionit, Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Shërbime Postare (RATEL) dhe ata të Telekomit të Serbisë, raporton Blic.
Për të martën dhe të mërkurën, janë paraparë të zhvillohen bisedime mbi themelimin e komunave serbe, ku para Gjuriç dhe Vladisavleviq, do të marrë pjesë edhe koordinatori i ekipit menaxhues për themelimin e komunave serbe, Lubomir Mariq.
Të mërkurën, përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës do të bisedojnë rreth energjetikës. Në këto diskutime përveç Gjuriçit dhe Vladisavleviqit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës të Serbisë.