Jahjaga: Liderët fetarë s’duhet të lejojnë rininë t’u bashkohen terroristëve
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori sot pjesë në panelin "Adresimi i ekstremizmit të dhunshëm: përgjegjësia e përbashkët", që i zhvilloi punimet në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajt në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë. Presidentja atje foli edhe për ekstremizmin, ku ndër të tjera kërkoi nga liderët fetarë që të përdorin ndikimin e tyre që të mos lejojnë të djemtë dhe vajzat t’u bashkohen grupeve terroriste.

Lajme
Presidentja Jahjaga në panel ku të pranishëm ishin zëvendëspresidenti i Irakut, Ayad Allaëi, zëvendëskryeministri i Irakut, i Saleh Muhammed Al Mutlaq, nënsekretarja e shtetit për sigurinë civile, demokraci dhe të drejtat e njeriut e SHBA-së, Sarah Seëall, foli për angazhimin e Kosovës në adresimin e këtyre dukurive dhe nevojën e gjithëpërfshirës në luftën kundër ekstremizmit dhe në garantimin e sigurisë globale.
Jahjaga në fjalimin e saj tha se shteti duhet të jetë prezent, institucionet shtetërore duhet të jenë të dukshme nëpërmes sigurimit të infrastrukturës, energjisë, burimeve të ujit, menaxhimit të mbeturinave, shëndetësisë, edukimit dhe, natyrisht, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Shteti duhet të udhëheqë reformat, të jetë proaktiv, dhe në secilin proces të vendimmarrjes duhet të ftojë sektorin privat, me qëllim të sigurimit që kjo do ta favorizojë iniciativën private dhe nuk do ta limitojë atë.
Shteti po ashtu duhet të jetë llogaridhënës ndaj qytetarëve dhe ti lejojë ata që të marrin pjesë ne këtë transformim. Qytetarët duhet të jenë pjesë e këtij aksioni. Ne kemi nevojë për pronësi”.
“Dhe të gjitha këto arritje do të ndihmojnë në forcimin e ndjenjës aq të nevojshme të sigurisë, e cila është bazë për secilin lloj të zhvillimit”.
Ajo duke folur për ekstremizmin tha se nuk duhet lejuar që forca të errëta të marrin peng të ardhmen e njerëzve.
“Ne më së miri do ta luftojmë ekstremizmin duke u angazhuar në të gjithë sektorët, bashkë me të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, duke promovuar përfshirjen. Përfshirje në qeverisje dhe përfshirje në zhvillim. Mundësitë duhet të jenë të barabarta për secilin. Asnjëri nuk duhet të lihet anash, sepse ndarjet dhe përjashtimet janë çerdhe e rritës për ekstremistë. Ata shfrytëzojnë dallimet dhe vuajtjet”.
“Tregimet e vendeve tona janë tregime mbi njerëz punëtorë, të cilët dëshirojnë të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Ne nuk duhet ti lejojmë ekstremistët, forcat e errëta të terrorit, që ta marrin peng vizionin e tyre të përparimit. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ti fuqizojmë individët, liderët fetarë që ti shmangin dhe të mos i lejojnë djemtë dhe vajzat e reja që tu bashkohen kauzave terroriste”, tha ndër të tjera presidentja Jahjaga. (lajmi.net)