Krijohet “Fraksioni Plus” brenda VV-së
Ata që dhanë kontribut për vite të tëra në Lëvizjen Vetëvendosje, por që në fund u zhgënjyen dhe u larguan nga ky subjekt politik, të mërkurën do ta zyrtarizojnë një grupim të ri politik të quajtur “Fraksion Plus”.
Lajme
Ajnishahe Halimi, Fatos Aliu, Arbër Geci dhe Leon Duhanaj janë vetëm disa prej tashmë ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që po rigrupojnë edhe me shumë ish-aktivistë tjerë të kësaj lëvizjeje për të krijuar një alternativë të re politike për qytetarët.
Sipas njërës, nga themelueset e “Fraksion Plus”, Ajnishahe Halimi, deri të krijimi i këtij fraksioni ka ardhur nga kërkesa e të gjithë atyre që janë ndjerë të indinjuar me Vetëvendosjen dhe janë injoruar për një kohë të gjatë nga ky subjekt, që deri para dy muajve drejtohej nga Albin Kurti e tash e nga Visar Ymeri.
“Është rigrupim i njerëzve të cilët kanë qenë në VV, janë përjashtuar, janë i injoruar, janë fyer dhe nuk është dëgjuar zëri i tyre dhe vinë nga komunat e ndryshme”, ka thënë për Gazetën Express, Halimi.
“Kjo është bërë me kërkesën e atyre që janë indinjuar me atë që Vetëvendosje ka bërë ndaj nesh dhe që po ashtu janë injoruar njëjte si ne nga kjo parti”, ka thënë Halimi, e cila ka qenë kandidate e VV-së për kryetare të Komunës së Skenderajt, aktualisht asambliste në këtë komunë. /lajmi.net/