BE i ka kërkuar dorëheqje Gruevskit, Shkupi zyrtar mbyll veshët
Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan në një takim informal gjatë darkës sonte për situatën e përkeqësuar në Maqedoni, kurse burime brenda KE-së thanë se kanë kërkuar që Nikolla Gruevski të japë dorëheqje.

Lajme
Mësohet se shefat e diplomacisë të vendeve evropiane u informuan shkurtimisht nga përfaqësuesja e lartë për siguri, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim, Hahn, por nuk pati konkluzione për të cilat ministrat evropianë vendosin në qershor, përpara samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE, raporton Top-Channel.
Ministrja kroate, Vesna Pusiq deklaroi ashpër për mediat vendase se “BE është shumë e shqetësuar për situatën në Maqedoni dhe se aktualisht mendohet të jetë pika më e ndjeshme në rajon, mes vendeve jo anëtare të BE-së, por që në fakt janë në mesin e shteteve anëtare”.
Ndërsa burime pranë Komisionit Evropian tregojnë se “Kryeministrit Gruevski i është kërkuar dorëheqja, por Shkupi nuk e merr në konsideratë këtë kërkesë”.
Ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Llajçak tha se “deri tani nuk ka një kërkesë të drejtpërdrejtë publike për dorëheqjen e Gruevskit. Vendi ka thyer normat evropiane dhe kjo situatë ishte sinjalizuar nga bojkoti i opozitës dhe publikimi i përgjimeve”.
“Tashmë është koha për BE-në që të ndërhyjë në Maqedoni, të jetë e dukshme atje dhe të tregojë lidership”, u shpreh Llajçak për mediat sllovake, duke konfirmuar se Komisioni nuk do të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Ndërkohë që në nisje të takimit të përbashkët me Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se “Aleanca po e ndjek nga afër situatën, përmes zyrës në Shkup”. /TCH/