Takimi i liderëve në Maqedoni përfundon pa rezultat konkret
Ka përfunduar takimi i liderëve të katër partive më të mëdha në vend pa marrëveshje konkrete. Ajo që është bërë e ditur pas takimit është se katër liderët do të takohen më 26 maj një ditë pas takimit në Strasburg, në të njëjtin termin.

Lajme
Pas takimit lideri i LSDM-së ka deklaruar se në tavolinë është vendosur një propozim për temat për bisedime nga ana e BDI-së, por janë paralajmëruar edhe tema nga ana e LSDM-së, VMRO-DMNE-së, dhe PDSH-së, njofton Tv Koha, televizion në gjuhën shqipe në Maqedoni.
“Nuk kemi hapur bisedime për këto tema, sepse fillimisht duhet që të ketë një pajtim për temat që do të shtrohen edhe atë, propozimet të jenë principiele, barazi në pjesëmarrjen e atyre propozimeve, dhe garanca në të se çka do të merremi vesh të zbatohet. Është e qartë se ndonjë përparim nuk ka, por gjithsesi, u morëm vesh për një termin të ri më 26 maj, duke pasur parasysh se nesër ka takime edhe në Strasburg”, tha Zaev.
Ai më tej ka thënë se qëndrimi i LSDM-së është i qartë dhe ai është qeveri kalimtare, e cila nënkupton, qeveri teknokrate me ekspertë kalimtare, mund të jetë edhe politike. Mirëpo ende nuk kemi arritur për të biseduar për këtë, ne kërkojmë një qeveri e cila do të kthejë normalitetin në shtet dhe ta përgatisë Maqedoninë për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Zaev pas takimit.
Ndërkaq zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare Luan Tresi, ka konfirmuar se ka pasur një propozim në tavolinën e bisedimeve.
”Disa pjesë janë të pranueshme, por edhe PDSH-ja do t`i paraqesë pikat e veta, për ato që mendojmë se do të mund të bisedohet. Them se do të ketë pika, sepse për të njëjtat do të diskutohen në trupat e partisë. Në këto bisedime edhe faktori politik do të jetë i përfshirë në mënyrë aktive me pika konkrete dhe kërkesa”, tha Tresi.
Ndërkaq, para se të fillojë raundi i dytë të takimit të liderëve, krerët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi sot sërish janë ulur bashkë.
Ahmeti dhe Thaçi edhe para takimit por edhe gjatë pauzës kanë qenë bashkë, të shoqëruar edhe nga deputeti Artan Grubi dhe sekretari i BDI-së Abdilaqim Ademi.
Edhe në takimin e javës së kaluar dy liderët shqiptarë gjatë pauzës së takimit ishin ulur bashkë. Bisedimet e katër liderëve të partive më të mëdha në vend janë iniciuar nga Bashkësia Ndërkombëtare gjegjësisht nga Unioni Evropian dhe Shteteve e Bashkuara të Amerikës për dalje nga kriza politike.
Në këta bisedime marrin pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian AIvo Orav dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhes Bejli. (lajmi.net)