Luftë bandash në Texas, 9 të vdekur dhe 18 të plagosur, 100 të arrestuar (Video)
Nëntë veta janë vrarë, 18 janë plagosur dhe të paktën 100 të tjerë janë arrestuar nga policia, pas një shkëmbimi zjarri midis bandave rivale në Waco të shtetit amerikan, Texas.

Bota
Incidenti ndodhi në “Twin Peaks Sport Bar dhe Grill” të Texas-it, në një zonë tregtare të quajtur Central Texas Market Place.
Policia njoftoi se tetë viktimat kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa personi i nëntë vdiq në spital, dhe se që të gjithë ishin motoçiklistë.
Një dëshmitar i cituar nga “Tribune Herald” tha se përleshja midis bandave u zhvillua në parkingun e një restoranti dhe ngjante në një zonë lufte.
“Janë përdorur më shumë se 30 armë duke gjuajtur njëri ndaj tjetrit dhe me siguri janë harxhuar më shumë se 100 plumba. Parkingu u shndërrua në një zonë lufte midis dy grupeve të armatosura”, tha Michelle Logan.
Stafi dhe punëtorët e “Twin Peaks Cafe” u mbyllën në një frigorifer për siguri, derisa në vend ngjarje arritën njësitet speciale të policisë.
Policia në Waco njoftoi se të shtënat mes bandave filluan pas mosmarrëveshjes për parking të motoçikletave. Zëdhënësi i policisë, Patrick Swanton, tha se lufta mes bandave filloi me grushte, dhe më pas u shkallëzua në zinxhirë, thika dhe në fund u përdorën edhe armët e zjarrit.
“Ky është ndoshta një nga vendet e krimit më të tmerrshme që kam parë ndonjëherë në 34 vjetët e mia si oficer policie në zbatim të ligjit”, tha Swanton.
Policia u njoftua se bandat janë fjalosur midis tyre dhe se takimi po ndodhte, dhe njësiti special ka arritur sapo kanë filluar të shtënat.
Sherifi i McLennan County, Parnell McNamara, tha se të gjithë nëntë viktimat të cilët u vranë ishin anëtarë të grupit “Banditos” ose të njohur edhe si “Cossacks Gangs”, njofton agjencia e lajmeve “Associated Press”, transmeton lajmi.net.
“Këto banda motoçiklistësh janë shumë të rrezikshme dhe në mesin e 18 personave të plagosur, gjysma e tyre janë të pafajshëm, kalimtar rasti, të cilët kishin përfunduar drekën e tyre në restorant apo ishin duke hyrë për të ngrënë”, tha Swanton.
Policia ka njoftuar se disa rrugë pranë restorantit ishin mbyllur dhe u ka kërkuar banorëve që të evitojnë zonën derisa gjithçka të bëhet e qartë. /lajmi.net/
