Investimi që punëson 500 veta rrezikon të ikë nga Kosova, shteti s’po i jep licencë

Spitali Amerikan në Kosovë ka bërë një investim prej 25 milion euro, i cili pritet të punësoj 500 veta. Por i gjithë ky investim rrezikon të tërhiqet nga Kosova, nëse Qeveria vazhdon të pengoj fillimin e punës.

Lajme

09/05/2015 17:16

Spitali Amerikan, i cili prej vitesh ushtron aktivitetin e tij në periferi të Prishtinës, ka investuar 25 milion euro në objektin e ri brenda në qytet, ku pritet të transferohet. Mirëpo këtij spitali ende nuk i është dhënë licenca për ndryshim lokacioni nga Ministria e Shëndetësisë.

Pavarësisht nevojës për vende të reja pune dhe për investime në sektorin privat, Qeveria duket të ketë mbyllur njërin sy, ndoshta e ndikuar nga interesa të bizneseve që i frikohen konkurrencës cilësore.

Kur janë në pyetje interesat e personave të caktuar, Qeverisë duket të mos i bëjë përshtypje se mijëra pacientë nga Kosova, shpenzojnë miliona euro për t’u trajtuar nëpër spitale si në Maqedoni, Shqipëri e Turqi. Llogaritet se për këto shërbime dalin jashtë vendit nga rreth 50 milionë euro çdo vit.

Përveç kësaj, në Kosovë prej vitesh operojnë klinika me kushte as të përafërta me ato të standardit evropian, dhe falë ndikimeve të ndryshe, arrijnë të mbajnë monopolin në treg, faturë e cila ngarkohet e tëra në kurriz të qytetarëve.

Si rezultat i kësaj gjendje kishte ndodhur edhe skandali me stenda, ku u burgos një rrjet i këtij krimi të organizuar.

Megjithatë, Spitali Amerikan, vazhdon të pres përgjigje nga institucionet e Kosovës. Pas disa kërkesave pa përgjigje, shkresën e fundit për leje, ky spital ia ka dërguar ministrisë këtë të premte. Klodian Allajbeu, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Amerikan, i ka thënë televizionit Top Channel se për rreth një muaj po presin licensimin nga institucionet përkatëse për të vazhduar punën në ndërtesën e re.

“Jemi duke biseduar me institucionet, për rreth 1 muaj dhe presim që për një kohë të shkurtër brenda muajit maj të zgjidhim procedurat ligjore dhe të vazhdojmë me punën tonë këtu. Por, dua të theksoj që për sa i përket aspektit ligjor ne jemi konform ligjeve të shtetit në Kosovë dhe konform të gjitha procedurave ligjore të nevojshme për të bërë aktivitetin në Republikën e Kosovës”, ka thënë Allajbeu, drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për Top Channel se Ministria është duke trajtuar kërkesën e spitalit në fjalë, por sipas tij, arsyeja e vonesës ka të bëjë me sqarimin e disa çështjeve ligjore lidhur me pronën ku është ndërtuar spitali i ri.

“Sa i përket Spitalit Amerikan, Ministria e Shëndetësisë do ta trajtojë edhe kërkesën e tij sikurse i trajton edhe gjitha kërkesat e palëve që parashtrojnë për licensim. Mirëpo vendimi nuk do të mund të merret deri sa të përfundojnë disa procedura apo disa pretendime të ngritura në opinion për të cilat ne kemi informacione që po merret edhe prokuroria e shtetit. Në momentin që sqarohen disa çështje ligjore, disa çështje që kanë të bëjnë me prona dhe aspekte të tjera, atëherë Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht vet qeveria e vendit do t’i ketë duart e lira që të marr një vendim meritor rreth këtij spitali”, ka thënë Hoti.

Top Channel është përpjekur të kontaktoj me prokurorinë themelore në Prishtinë në lidhje me këtë hetim, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Mësohet se trualli ku është ngritur spitali i ri i është dhënë fillimisht në shfrytëzim/ qiradhënie të tokës për ndërtim objekti, Qendrës Kardiale të Kosovës në vitin 2005, e cila duhet të ndërtonte një spital kardiokirugjik. Ndaj dhe çështja është dërguar në prokurori me pretendimin se ka të bëjë me një kontratë mbi kontratë.

Ndërsa në opinion është ngritur edhe shqetësimi për praninë e një objekti spitalor privat pranë QKUK-së, gjë që më parë ishte e ndaluar e më pas është shfuqizuar me një vendim tjetër të qeverisë Thaçi.

Spitali Amerikan do të duhej të fillonte punën në lokacionin e ri me 11 maj. Nëse kjo i lejohet ose jo, ende nuk ka marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës. E gjithë përpjekjet e Top Channel për të kontaktuar kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa, qeveria ka heshtur. Për dy ditë radhazi është kërkuar sqarim nga zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi, por Top Channel nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Spitali Amerikan i cili pritet që me këtë zhvendosje të shtojë edhe numrin e të punësuarve deri në rreth 500, do të detyrohet të ikë nga Kosova, në rast se nuk pajiset me licencë ndryshimi të lokacionit. “Do të ikim, çdo gjë do të mbaroj dhe do të ikim. Nuk ka zgjidhje tjetër, por që nuk presim që të mos marrim licencën”, ka thënë Allajbeu.

Amerian Hospital Albania është pjese e American Hospital Assosiacion që është asosacioni spitalor me i madh dhe me cilësor ne bote. (lajmi.net)