Sërish radhë e gjatë e automjeteve në Merdare
Në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin kufitar Merdare janë zgjatur kolonat e automobilave të shtunën me emigrantë kryesisht shqiptarë.
Lajme
Siç bëhet e ditur, pritjet po zgjasin tash më shumë se 2-3 orë, ndërsa kolonat janë të gjata mbi 3 kilometra.
“Jemi këtu mbi 3 orë duke pritur në radhë. Kolona e automjeteve që presin për të hyrë në Serbi tashmë është e gjatë saqë nuk duket fare kufiri“, tha Arben Gjinaj, i cili tashmë ka ikur nga kolona e gjatë duke kërkuar një vendkalim tjetër kufitar Kosovë-Serbi.
Gjinaj tha se faji qëndron edhe te pala serbe për pritjet e gjata që po shkaktohen në pikëkalimin kufitar Merdare.
Ardian Krasniqi, i cili kishte ardhur në Kosovë bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij për te kremtuar festën e Pashkëve, por kjo pritje atij po i krijon neveri.
“I patëm një javë pushim dhe deshëm të vijmë për ta festuar bashkë me familje në Kosovë. Ne për të mbërritur në Zvicër i bëjmë mbi 20 orë, ndërsa tash 4-5 orë na duhet me prit në kufi. Kjo po na dëshpëron dhe shumë të afërm të mijë nuk dëshirojnë të vijnë vetëm shkaku i pritjeve në kufi. Asgjë nuk po na bën rruga 2 mijë kilometra çka po na bëjnë këto pritjet në kufi”, tha Krasniqi, përcjell Albinfo.
Ndërsa, Islam Sadiku mërgimtar në Gjermani, thotë se është duke pritur që nga ora 8 e mëngjesit dhe ende nuk jemi as afër.
“Nuk po e dimë se ku është problemi. Këta policët tanë po thonë se nuk është problemi te policët tanë, problemi është me ata të Serbisë. Nuk e di veç në hall po jemi me ardh edhe te shtëpitë tona, tek familjet tona”, tha Sadiku.
Ndërkohe ka po ashtu mosmarrëveshje mes mërgimtareve të cilët disa prej tyre mundohen për arsye të ndryshme të afrohen sa me afër kufirit dhe mos të presin ne radhë.
Pritjet e gjata të qytetarëve të Kosovës në kufirin Kosovë – Serbi ndodhin çdo vit gjatë sezonit të verës por edhe për festa.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kishin potencuar se do të marrin masa që t’i evitojnë këto pritje.