Thaçi: Kosova dhe Serbia vetëm si shtete të pavarura, garantojnë stabilitet në rajon
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të premten se Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë të punojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Lajme
Ai në një intervistë për agjencinë sllovene të lajmeve STA, ka thënë se normalizimi i plotë i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, mund të ndodhë vetëm në cilësinë e dy shteteve të pavarura.
“Duhet të punojmë në normalizimin e plotë të raporteve në mes të dy vendeve, në ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Vetëm si dy shtete të pavarura, Kosova dhe Serbia mund të garantojnë një stabilitet të rajonit dhe ky proces është i pandalshëm”, ka thënë Thaçi në Lubjanë, gjatë qëndrimit zyrtarë në Slloveni, transmeton lajmi.net.
Ai për STA ka thënë se vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale do të merret në fund të këtij muaji, apo edhe në fillim të majit.
“Kosova nuk ka çfarë të fshehë. Ne kemi ofruar një bashkëpunim dhe mbështetje të plotë për këtë çështje”. (Lajmi.net)