Kërkohet angazhim për testin PISA 2015 dhe Maturën Shtetërore
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Arsim Bajrami, në takimin e rregullt me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, ka theksuar rëndësinë e realizmit të planit qeveritar për ngritjen e cilësisë në arsim, përmes mobilizimit të nivelit qeverisës qendror dhe atij lokal, si aktorët kryesorë në këtë fushë, thuhet në një njoftim të MASHT.
Lajme
Ministri Bajrami ka thënë se Ministria e Arsimit është e angazhuar në ndërtimin e standardit të cilësisë prej nivelit parashkollor e deri në atë universitar.
Duke folur për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve PISA 2015, ministri Bajrami vlerësoi se, ky test ndërkombëtar do të jetë një shans i mirë për mbledhjen e informacioneve, mbi pasqyrimin e mësimnxënies në këtë fazë të shkollimit dhe ndryshimet e mundshme të politikave arsimore.
“Ky test ndërkombëtar ka për qëllim të vlerësojë shkallën e përvetësimit të kurrikulës shkollore nga ana e nxënësve, andaj ju ftoj që të angazhoheni seriozisht në këtë vlerësim të rëndësishëm, sa i përket mbledhjes së të dhënave mbi njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në tri komponentë kryesorë: aftësitë në të lexuar, në matematikë dhe në shkenca tjera natyrore”, ka theksuar ministri Bajrami.
Në vlerësimin PISA 2015, i cili organizohet nga data 15-25 prill 2015, do të përfshihen 225 shkolla dhe mbi 5 mijë nxënës të moshës 15-vjeçare.
Ministri ka shprehur qëndrimin se nuk do të ulet kriteri i kalueshmërisë për Provimin e Maturës Shtetërore, dhe se është duke u bërë reformimi për këtë provim.
Ai, ndër të tjera, ka folur edhe për zbatimin e Kontratës Kolektive, marrëveshjet e nënshkruara me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, përgatitjen dhe trajnimin e mësimdhënësve dhe decentralizimin e buxhetit të shkollave.
Në takimin e sotëm, përfaqësues të GIZ-it kanë prezantuar botimin e dytë të doracakut për “Qeverisjen e arsimit në komuna”, projekt i Ministrisë Arsimit i realizuar me mbështetjen e organizatës gjermane./KosovaPress/