EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave për rastin “APEX”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për Krim të Organizuar dhe Detyrim ndaj 11 të pandehurve, në rastin e lojërave të fatit të ashtuquajtur “APEX”.

Lajme

03/04/2015 16:56

Në një njoftim për media Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bënë të ditur se ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër njëmbëdhjetë  të pandehurve.

“Secili prej njëmbëdhjetë të pandehurve është akuzuar me veprën penale të Krimit të Organizuar (neni 283 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) në lidhje me veprën Detyrim (neni 340  KPK), ndërsa disa nga të pandehurit ballafaqohen me akuza shtesë duke përfshirë akuzat: Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, (neni 409 KPK), Shtrëngim (neni 195 i KPK-së), Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 374 i KPK-së) dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge (neni 273 i KPK-së)”, thuhet në njoftim.

Veprat penale të pretenduara përfshijnë periudhën nga viti 2008 – 2013 dhe ndërlidhen me lojërat e fatit dhe të industrisë së kazinosë në Kosovë.

aa

Tutje bëhet e ditur se aktakuza është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas një hetimi duke përfshirë Njësinë kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, Njësinë kundër Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës dhe Policinë e EULEX-it. (lajmi.net)