Shoqëria civile këshillon KE-në të përdorë formulime të përpikta për Kosovën

Përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës i kanë shkruar letër përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, komisionarit Johannes Hahn dhe Komisionarit Dimitris Avramopoulos, mbi procesin e liberalizimit të vizave.

Lajme

02/04/2015 22:01

Ata apelojnë te zyrtarët e Komisionit Evropian që të përdorin formulime të përpikta për të përshkruar progresin ose mungesën e tij për secilën pikë të përfshirë në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave në raportin e radhës.

Në qoftes e BE-ja do të përdorte kritere të drejta, të qarta e transparente të vlerësimit, në mënyrë që pastaj shoqëria civile të jetë në pozitë për të ushtruar presion në qeverinë e Kosovës për të punuar më shumë në ato drejtime.

“Mungesa e gjuhës së qartë shërben si një pengesë që qeveria t’i përmbushë kriteret, duke parandaluar shoqërinë civile të mbajë Qeverinë përgjegjëse. Bashkimi Evropian ka dëshmuar se mund të veprojë si katalizator për të ndërmarrë reformat ë vështira. Ju apelojmë që të jeni po aq të drejtë kur bëhet fjalë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, aq sa ishit edhe kur bëhej fjalë për fqinjët tanë dhe Turqinë sot”, shkruajnë ata.

Kur flasin për rastin e Ballkanit Perëndimor, thonë se Komisioni ka pasur formulime shumë të përpikta për ta definuar progresin apo mungesën e tij në secilën pikë të përfshirë në udhërrëfyes. Në tetor të vitit 2014 për Turqinë, Komisioni përdori pesë formulime të përpikta për ta definuar progression në secilën pikë: “Kërkesa u plotësua”, “Gati u plotësua”, “U plotësua pjesërisht, por me shanse të mira për progres të mëtejmë”, “Vetëm pjesërisht u plotësua”, “Kërkesa nuk u plotësua”.

Shoqëria civile përkujton Komisionin Evropian se në raportin për Kosovën nuk ka përshkrim të përpiktë të progresit. “Gjuha është e paqartë. Nuk janë të qarta fushat prioritare”. /kosovapress/